Rikthimi magjik i Eriksenit me Danimarkën

  • A.P /
  • 27 March 2022 - 10:11
Rikthimi magjik i Eriksenit me Danimarkën

Christian Eriksen ka bërë rikthim magjik në futbollin ndërkombëtar duke shënuar gol dy minuta pas inkuadrimit në lojë për Danimarkën.

Mesfushori danez mbrëmë shënoi arritjen më të madhe në karrierën e tij. Vetëm disa muaj më herët, pikërisht në një ndeshje me Danimarkën, Eriksen pësoi sulm në zemër në fushë.

Se ai do të luante sërish një ndeshje me ekipin e tij kombëtar dhe do të arrinte sërish të shënonte gola dhe të vraponte në fushë njësoj sikur më parë nuk e kishte imagjinuar as vet danezi.

Mesfushori i Brentford shënoi me prekjen e parë, pasi u inkuadrua në pjesën e dytë të ndeshjes në humbjen 4:2 në udhëtim ndaj Holandës, shkruan Gazeta Express.

Teksa po inkuadrohej në fushë, Eriksen pranoi ovacione nga të gjithë në “Johan Cruyff Arena”. Ai u inkuadrua në lojë në minutën e 46-të dhe dy minuta më pas e pa veten duke e festuar golin që pak muaj më parë e mendonte të pamundur.

Pas ndeshjes, Eriksen bëri një deklaratë emocionuese, teksa tha se mezi pret të luajë në Botëror.

“Isha i nderuar që munda të tregoja se mund të luaj ende”, ka thënë Eriksen për “Dutch TV”.

“Ndiej sikur nuk kam qenë kurrë larg ekipit. Ishte paksa emocionuese të rikthehesha në kombëtare, por jam ndier keq sa herë kam munguar në 10 vjetët e fundit. Unë ndihem si pjesë e familjes”, shtoi Eriksen.

“U ndjeva i mirëseardhur (nga tifozët holandezë). Kam qenë këtu më herët (kur luante për Ajaxin) për disa vite dhe natyrisht se ata më njihniin. Por, ishte një pritje e ngrohtë nga zemra, natyrisht”, u shpreh mesfushori kreativ për “Sky Sports”

“Isha i lumtur që topi erdhi tek unë dhe natyrisht, ishte një përfundim i bukur. Të kthehem në Kombëtare në këtë formë ishte natyrisht mënyra më perfekte. Mezi pres të luaj në Botëror, por ka edhe shumë ndeshje të tjera në mes tyre dhe jam i fokusuar tek ato”, përfundoi futbollisti i Bentfordit

Në ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Kampionatin Evropian vitin e kaluar, gjatë muajit qershor, Christian Eriksen pësoi sulm në zemër duke shokuar botën e futbollit.

Ai tani ka të vendosur një pajisje në zemër, e cila ia pamundësoi vazhdimin e karrierës me Interin.

Eriksen u detyrua të largohej dhe ditë më vonë nënshkroi kontratë deri në fund të sezonit me ekipin nga Premierliga, Brentford.

Aty, ai ka arritur një asistim në dy ndeshjet në Premierligë sa ka luajtur. 


(Kosova Sot Online)