Selektori i Zvicrës, Yakin: Xhaka, Shaqiri dhe Zeqiri duhet të kontrollojnë emocionet e tyre ndaj Kosovës

  • A.P /
  • 28 March 2022 - 17:17
Selektori i Zvicrës, Yakin: Xhaka, Shaqiri dhe Zeqiri duhet të kontrollojnë emocionet e tyre ndaj Kosovës

Zvicra dhe Kosova do të përballen mes vete në një ndeshje miqësore nesër.

Në prag të kësaj ndeshje, në konferencën për shtyp te “Helvetikët” sot është paraqitur selektori Murat Yakin

Yakin tha se ndaj Kosovës do të kenë mundësi të paraqiten disa futbollistë të rinj.

“Do të shohim disa lojtarë të rinj në formacionin fillestar. Atyre duhet t’u jepet mundësia të tregojnë veten. Ne duam të luajmë me guxim. Jam shumë i kënaqur me javën e stërvitjes. Manuel Akanji dhe Silvan Widmer nuk do të luajnë, janë të lënduar lehtë”.

Selektori i Zvicrës u pyet edhe për humbjen nga miqësorja e fundit me Anglinë. Ai tha se pavarësisht humbjes, futbollistët luajtën mirë.

“Është më mirë të marrësh penallti në një miqësore sesa në një luftë serioze. Isha i zemëruar për një minutë pas ndeshjes, por më pas i pashë djemtë dhe mendova se luajtëm mirë”.

Tutje, Murat Yakin foli edhe për tre futbollistët që kanë prejardhje nga Kosova, Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin e Andi Zeqirin, për të cilët tha se duhet të kontrollojnë emocionet e tyre nesër.

“Graniti, Xherdani apo edhe Zeqiri duhet të kontrollojnë emocionet e tyre. Do të jetë e veçantë para ndeshjes, por sapo gjyqtari të vërshëllej për fillimin e ndeshjes, ata duhet të fshehin emocionet. Ata janë të gjithë profesionistë dhe kjo është arsyeja pse unë e kërkoj këtë nga lojtarët”.

Ndryshe, miqësorja Zvicër – Kosovë do të zhvillohet në stadiumin “Letzigrund” në Cyrih. Kjo ndeshje do të fillojë në ora 18:00. 

(Kosova Sot Online)