Challandes: Kosova ka kualitete të larta, për shqiptarët sonte është një festival i futbollit

  • A.P /
  • 29 March 2022 - 15:02
Challandes: Kosova ka kualitete të larta, për shqiptarët sonte është një festival i futbollit

Bernard Challandes e ka komentuar lojën e sontme ndërmjet Zvicrës me Kosovën.

Ish-selektori i “Dardanëve” shprehet se për shqiptarët e Kosovës kjo ndeshje ka domethënie të madhe.

Sipas tij, më së shumti do të përjetojnë emocione bashkatdhetarët tanë që jetojnë në shtetin helvetik.

“Për kosovarët që jetojnë në Zvicër do të jetë një festival i vërtet i futbollit. Larg nga politika dhe nga problemet politike”, thotë Challandes për mediumin zviceran “20min"

Sipas tij, Kombëtarja e Zvicrës pëlqehet me të madhe në Kosovë shkaku i lojtarëve kosovarë që luajnë aty.

“Kur Kombëtarja jonë arrin suksese, mund të shohësh flamuj zviceran duke valuar në Prishtinë. Gjithashtu, të gjithë në Kosovë janë krenarë me Shaqirin e Xhakën, për arritjen e tyre”, shton Challandes, i cili ishte selektor i Kosovës në periudhën 2018 – 2021.

Sipas tij, ekziston një diferencë e madhe ndërmjet ligës vendore dhe kombëtares së Kosovës.

Por, është i bindur se edhe në Kosovë ka talente, që mund të dalin në shesh pas një kohe.

“Ka shumë djalmosha të talentuar në klube dhe në rrugët e Kosovës. Është vetëm çështje e vazhdimit të punës dhe duhet të jenë të qetë”, shprehet tutje ai.

Challandes e ka lavdëruar ekipin që udhëhiqet nga trajneri i ri, Alain Giresse, i cili ditë më parë e mposhti Burkina Fason me rezultat të thellë, 5:0.

“Kosova e ka një ekip më kualitet të lartë”, i paralajmëroi ai zviceranët.

Ndeshja e sontme ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës do të fillojë në orën 18:00.

(Kosova Sot Online)