Ish-trajneri e kritikon Zhegrovën: Ishte shumë vetjak

  • A.P /
  • 29 March 2022 - 15:42
Ish-trajneri e kritikon Zhegrovën: Ishte shumë vetjak

Edon Zhegrova u largua gjatë janarit nga Baseli për t’iu bashkuar Lillet në Francë.

Futbollisti kosovar luajti një kohë në ligën zvicerane, ku në përgjithësi e pati një eksperiencë pozitive.

Por, duket se përfaqësuesi kosovar nuk i ka lënë mbresa shumë të mira ish-trajnerit të tij tek Baseli, Ciriaco Sforza.

Ai e ka kritikuar në fakt futbollistin prishtinas për mënyrën se si ka luajtur në Super League zvicerane.

“Zhegrova ishte shumë vetjak”, ka thënë trajneri zviceran për mediumin e njohur të këtij shteti “Blick”, respektivisht në emisionin “Blick Kick”, përcjell “Gazeta Express”.

Ndër të tjera, ai ka folur edhe për lojën e sotme ndërmjet Zvicrës me Kosovën, duke e pranuar se kjo do të jetë një lojë speciale pasi disa futbollistë do të luajnë kundër vendit të tyre të origjinës.

Zhegrova ka kualitete të larta dhe është mjaft i rrezikshëm një kundër një, por shpesh është kritikuar që nuk e pason topin me kohë pasi e bën një veprim më shumë se që duhet.

Ndeshja ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës do të fillojë në orën 18:00.

(Kosova Sot Online)