Paralajmërimi i ministrit, alarm shqetësues për futbollin e Kosovës

  • S.A /
  • 31 March 2022 - 12:54
Paralajmërimi i ministrit, alarm shqetësues për futbollin e Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është e vendosur që ta pastrojë sportin e Kosovës nga njerëzit që kanë probleme me ligjin. Aktualisht, federatat sportive janë pa licenca dhe MKRS synon t’i licencojë apo t’i rilicencojë ato deri në fund të këtij viti. Mirëpo, paraprakisht ky dikaster qeveritar po e përgatit një Udhëzim Administrativ që ka të bëjë me kushtet, kriteret dhe procedurat e licencimit të organizatave sportive. Ky Udhëzim Administrativ pritet të hyjë në fuqi brenda pak ditësh dhe pastaj do të fillojë procesi i licencimit.

Deri më tani ka pasur raste që persona me aktakuza dhe me probleme me ligjin kanë udhëhequr federata sportive. Pavarësisht problemeve serioze me ligjin persona të tillë i kanë mbajtur pozitat në federata. Rasti i cili ka bërë më së shumti bujë është ai i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i cili më herët ishte dënuar me 9 muaj burgim nga Gjykata e Apelit. Përkundër dënimit të formës së prerë ai nuk ishte larguar nga posti i kryetarit të FFK-së. Këtë pozitë ende e mban, ani pse në muajin maj pritet të nis rigjykimi i tij, pasi Supremja e kishte çuar në rigjykim rastin e tij për të cilin ishte dënuar nga Gjykata Themelore me 9 muaj burg, të cilin dënim ia kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit. Edhe pse në maj pritet të nis rigjykimi i tij, Ademi me insistim dëshiron që të mbaj zgjedhje më herët në FFK, më 6 prill, dhe ta marrë edhe një mandat katërvjeçar, madje pa asnjë kundërkandidat përballë. Mandati aktual i tij skadon në korrik.

Kjo ka bërë që ndaj FFK-së deri më tani të ngrihen dy padi në gjykatë pasi kryesia e FFK-së dyshohet se ka shkelur Ligjin dhe Statutin e FFK-së duke thirrur kuvend zgjedhor para se t’i skadojë mandati kryetarit aktual, të cilin “opozita” e tij po e akuzon se e ka “kurdisur” Kuvendin për ta “rrëmbyer” edhe një mandat.

Edhe një opinion ligjor i MKRS-së ka konstatuar shkelje ligjore e statutore nga ana e FFK-së.

Por, edhe në rast se gjykata nuk e pezullon mbajtjen e këtij Kuvendi, FFK-ja pas pak kohësh mund të futet sërish në probleme serioze pasi me Udhëzim Administrativ ka mundësi të mos licencohet nga MKRS shkaku i udhëheqësit të tij që ka problem me ligjin.

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, ka bërë me dije se ky dikaster qeveritar do të tregojë zero tolerancë në procesin e licencimit të federatave nëse ndonjëra nga to nuk e respekton këtë Udhëzim Administrativ.

“Brenda pak ditësh do të hyn në fuqi Udhëzimi Administrativ për licencimin dhe rilicencimin e federatave sportive. Ne po e trajtojmë me prioritetin dhe seriozitetin me te lart këtë proces, andaj ju lutem merreni shumë seriozisht. Do të bëjmë zero kompromise dhe zero lëshime në këtë proces”, ka thënë ministri Çeku gjatë një fjalimi para delegatëve të federatave sportive në Asamblenë e Punës së Komitetit Olimpik të Kosovës.

Por, çka ndodh nëse një federatë nuk licencohet nga MKRS, siç parasheh Ligji i Sportit i Republikës së Kosovës? Zyrtarë të lartë të kësaj ministrie kanë kujtuar se me këtë nënkuptohet se një federatë e palicencuar nuk njihet nga shteti dhe nuk ka mbështetje të shtetit, andaj e ka të pamundur edhe të organizojë gara sportive në Republikën e Kosovës. Po ashtu, nuk do të mund të llogaritë në lehtësimet financiare që parasheh Ligji i Sponsorizimeve.

Kjo ka ngjallur panik te një pjesë e klubeve të futbollit të cilat varen nga sponsorët e tyre, edhe ashtu të paktë që i kanë. Abedin Zeka, kryetar i klubit me nam, Trepçës ’89, ka potencuar se FFK-së nuk po i interesojnë pasojat që mund t’i pësojnë klubet nga moslicencimi eventual i FFK-së nga MKRS-ja për të tekne të kryetarit aktual të saj, i cili me insistim e do edhe një mandat tjetër.

Ndërkohë, disa nga klubet e Superligës së Kosovës në futboll po shprehin vazhdimisht indinjatë me gjendjen në të cilën ka ardhur futbolli i Kosovës. Nga 10 klube sa i ka Superliga, gjysma e tyre, respektivisht 5 nga to, nuk i kanë dhënë fare mbështetje Agim Ademit për një mandat tjetër. Ato po e përkrahin Gramoz Vokrrin, aplikimi për kandidim për kryetar i të cilit u refuzua ditë më parë nga FFK-ja. Madje, përfaqësues të këtyre klubeve kanë paralajmëruar se nëse kryetari aktual me “kokëfortësi” insiston ta marrë një mandat tjetër në krye të FFK-së, pa ia mundësuar kundërkandidatit garimin, ka mundësi që këto klube kundërshtare të tij të tërhiqen nga garat në shenj revolte ndaj Ademit.

(Kosova Sot Online )