
Prokuroria në Gjilan kërkon caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të arrestuarve të përfshirë në sulmin ndaj Stivi Frashërit

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për sulm fizik ndaj Stivi Frashërit.
Në ndeshjen e zhvilluar në Gjilan, mes Gjilanit dhe Ballkanit, në ndeshjen e javës së 27-të në Superligën e Kosovës, u sulmua brutalisht portieri i skuadrës nga Suhareka, Stivi Frashëri, nga tifozët e skuadrës vendase.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se të dielën janë ndaluar për 48 orë dy persona me dyshimin për përfshirje në incidentin gjatë ndeshjes Gjilani-Ballkani, me ç’rast u sulmua portieri mysafir Stivi Frashëri, ndërsa gjatë ditës së sotme ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve.
Njoftimi nga Prokuroria Themelore në Gjilan:
“Prokuroria Themelore në Gjilan, me datë 03.04.2022, ka ndaluar për 48 orë dy persona, F.R dhe B.K, për shkak të dyshimit se secili veç e veç kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi nga neni 404 par.1 të KPRK-së.
Sot, me datë 04.04.2022, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj F.R dhe B.K, për shkak të dyshimit se secili veç e veç kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi nga neni 404 par.1 të KPRK-së.
Ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit me datë 03.04.2022 rreth orës 15.20h, në Gjilan, në Stadiumin e Qytetit, përderisa zhvillohej ndeshja futbollit në mes të SC-Gjilani dhe KF Ballkani, nën pretekstin kinse të festimit të golit të barazimit, hyn në fushën e futbollit, bashkë me një turmë të madhe tifozësh, ku bëheshin veprime huligane me gjuajtje sendesh dhe fishekzjarrë, derisa njëri I pandehur e shtyn dhe e rrëzon për toke, tjetri e godet me shqelm në fytyrë të dëmtuarin S.F, i shkakton lëndime trupore dhe rrezik të përgjithshëm për eskalimin e situatës”.
(Kosova Sot Online)