Opozita e FFK-së: Nëse nuk merren masa ndaj Kuvendit të jashtëligjshëm, mund t’i bojkotojmë garat

  • S.A /
  • 06 April 2022 - 12:14
Opozita e FFK-së: Nëse nuk merren masa ndaj Kuvendit të jashtëligjshëm, mund t’i bojkotojmë garat

Klubet opozitare nuk kanë marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili është duke u mbajtur në këto momente. 15 delegatë janë mbledhur sot dhe e kanë shprehur opinionin e tyre të përbashkët rreth këtij Kuvendi, të cilin e bojkotuan pasi e konsiderojnë atë si të parregullt dhe të jashtëligjshëm.

Në emër të delegatëve që mendojnë ndryshe ka folur drejtori i Dritës, Valon Zymberi. “Sot është dashur të jetë një ditë feste, por nuk ju kanë lejuar as ju mediave të hyni aty. Andaj, më e keqja është cenimi i lirisë së shprehjes, edhe me votë. Ne si grup që mendojmë ndryshe jemi grup që nuk e mbështesim këtë Kuvend sepse opinioni ligjor ka thënë se është i paligjshëm. Në shenjë të respektit të ligjeve të sportit, s’kemi marrë pjesë në atë Kuvend”, theksoi fillimisht Zymberi para mediave.

Ai e konfirmoi edhe një herë mbështetjen e opozitës për kandidatin Gramoz Vokrri, të cilit nuk iu lejua kandidimit pasi FFK-ja konsideroi se disa prej nënshkrimeve nuk i kishte të vlefshme.

“Ne na është mohuar e drejta elementare e kandidimit të kandidatit tonë Gramoz Vokrri. FFK-ja ka treguar mendësi totalitare. “Ne jemi po ata delegatë që e kemi mbështetur Vokrrin dhe jemi këtu e nuk jemi në atë Kuvend. Do të jemi deri në fund në mbështetje të Gramozit dhe nuk e mbështesim një Kuvend të paligjshëm”, vazhdoi ai.

Sipas Zymberit, përpos këtyre 15 delegatëve ka edhe delegatë të tjerë që janë kundër Kuvendit.

Por, atyre u është kërkuar që të marrin pjesë në Kuvend dhe të mos i bashkohen opozitës për hir të faktit që të mos pësojnë nga hakmarrja e FFK-së.

“Kemi dashur të jemi vetëm delegatët që kemi dhënë publikisht nënshkrime për Vokrrin. Nuk e di a ka ai Kuvend kuorum dhe i ftoj organet ta monitorojnë me kujdes sepse po e mbajnë një Kuvend të jashtëligjshëm”, nënvizoi ai.

Zymberi po ashtu e shprehu dyshimin të ketë pasur manipulime me delegatë, pasi sipas tij, nëse pala tjetër i ka 43 nënshkrime, e 15 janë në opozitë dhe 7-8 të tjerë nuk kanë shkuar në Kuvend, i bie që kalohet numri i 58 delegatëve të mundshëm.

Në fund, ai e bëri një kërcënim në emër të opozitës, nëse nuk ndërmerren masa ndaj këtij Kuvendi.

“Kandidati ynë ka qenë legjitim, ja ku mund ta shihni listën me nënshkrime. Duhet të intervenojë MKRS-ja dhe organet përgjegjëse. Në të kundërtën, nëse nuk merren masa nga institucionet, mbetet në opsionin tonë bojkoti i garave”, përfundoi Zymberi.

Agim Ademi është kandidati i vetëm për kryetar të FFK-së pasi e ka grumbulluar pjesën më të madhe të nënshkrimeve, duke ua mohuar të tjerëve kandidimin. 

(Kosova Sot Online )