
Fanella e famshme e Maradonës “Dora e Zotit” në shitje për 5 milionë euro

Fanella e Diego Armando Maradonës, të cilën e kishte veshur në Kampionatin Botëror të vitit 1986 në Meksikë, ku kishte realizuar gol me dorë pasi e kishte kaluar krejt mbrojtjen kundërshtare, do të vihet në shitje në internet.
Lajmin e ka bërë të ditur shoqëria “Sotheby’s”.
Për më shumë se 35 vjet, fanella e kaltër e Argjentinës me numrin 10, ka qenë në pronësi të ish-mesfushorit anglez, Steve Hodge, i cili e kishte ndërruar fanellën me legjendën argjentinase në fund të asaj ndeshjeje.
Atë takim e kishin fituar argjentinasit me rezultat 2:1, ndërsa ishte luajtur në stadiumin “Azteca” më 22 qershor të vitit 1986.
Fanella fillimisht ishte dhuruar në Muzeun Nacional të Futbollit në Manchester, për t’u ekspozuar.
“Sotheby’s” e ka vendosur shifrën fillestare prej 5 milionë euro për fanellën e famshme.
Rekordi për një fanellë të shitur kishte ndodhur në vitin 2019, kur për 5,6 milionë dollarë ishte shitur fanella e veshur nga legjenda e bejsbollit amerikan, Babe Ruth në fund të viteve të 20-a.
Në minutën e gjashtë të pjesës së dytë, pas një topi të devijuar në zonën e tij të rreptësisë pikërisht nga Hodge, Maradona kishte dalë para portierit anglez, Peter Shilton, duke bërë “fintë” se kinse kishte shënuar me kokë, por në fakt e kishte zgjatur dorën pasi nuk kishte mbërri ta qëllonte topin me kokë duke e pasur parasysh se ishte shtatshkurtër.
“Dora e Zotit”, kishte thënë kapiteni argjentinas pas lojës.
E katër minuta më vonë, Maradona e kishte realizuar njërin prej golave më të bukur të shekullit të kaluar.
“Mund të jetë mjaft e kërkuar në treg për historinë e saj”, parasheh përgjegjësi i “Sotheby’s”, Brahm Wachter.
“Mund të shkojë në një muze, në klub, tek një koleksionist, apo ndoshta tek dikush që e do më të mirën prej më të mirave”, përfundoi ai.
(Kosova Sot Online)