Ronaldo e merr një përgjigje që s’e priste nga tifozi që ia theu telefonin

  • S.A /
  • 13 April 2022 - 10:18
Ronaldo e merr një përgjigje që s’e priste nga tifozi që ia theu telefonin

Cristiano Ronaldo e bëri një gjest të pahijshëm javën që shkoi duke e sulmuar një tifoz të Evertonit, të cilit nga nervoza pas lojës, ia theu telefonin dhe ia lëndoi dorën. Më pas, ylli portugez kërkoi falje për veprimin josportiv të tij, ndërsa e ftoi tifozin e ri, Jack, që ta përcjellë një ndeshje të Manchester Unitedit në “Old Trafford”. Nëna e tifozit 14 vjeçar, Sarah, ka thënë se i biri i saj, i cili është autik, ka mbetur i traumatizuar nga ky incident.Madje, edhe policia i kishte nisur hetimet për këtë rast, ndërsa Ronaldo kërkoi falje publike përmes rrjeteve sociale për veprimin e tij. E tash, 37 vjeçari e mori përgjigjen për ftesën që ia bëri tifozit. Është nëna e “viktimës” ajo që foli në emër të të birit, duke ia dhënë një lajm të keq pesë herë fituesit të Topit të Artë.

“Manchester United e ka trajtuar në mënyrë të tmerrshme këtë rast dhe kjo i ka bërë gjërat edhe më keq, të jem e sinqertë”, deklaroi Sarah, nëna e tifozit, për “Liverpool Echo”.

“Unë i shoh gjërat kështu, nëse dikush do ta sulmonte në rrugë dhe më pas do të kërkonte të shkojmë me të në darkë, ne s’do ta bënim këtë. Vetëm pse është Cristiano Ronaldo, përse do të duhej ta bënim këtë? Është si t’i detyrohemi atij për t’i bërë favor. Na falni, por nuk do ta bëjmë këtë”, vazhdoi ajo, përcjell “Gazeta Express”.

“Ne e kemi refuzuar ofertën për të shkuar në United sepse Jake nuk dëshiron të shkoj atje dhe nuk dëshiron ta shohë Ronaldon. Ai e ka bërë këtë të qartë. Këto nuk janë fjalët e mia, janë fjalët e djalit tim. Ky veprim e ka prekur atë më shumë se mua, kështu që e kam lënë atë të vendosë. Krejt çka mund të them për momentin është se rasti është në duar të policisë”, vazhdoi ajo.

Pra, deri dje Ronaldo ishte idhull i tifozit anglez, ndërsa tash ky i fundit nuk dëshiron as ta shikojë më CR7

(Kosova Sot Online )