Rikthehet në stërvitje Stivi Frashëri, portieri që u sulmua fizikisht në Gjilan

  • S.A /
  • 13 April 2022 - 13:07
Rikthehet në stërvitje Stivi Frashëri, portieri që u sulmua fizikisht në Gjilan

Futbolli kosovar e mori një lajm të mirë sot. Ballkani ka njoftuar se portieri i tij, Stivi Frashëri është rikthyer në stërvitje. Portieri shqiptar ishte sulmuar fizikisht në derbin Gjilani – Ballkani, me ç’rast kishte përfunduar pa ndjenja në spital. Tifozët ishin futur në fushë në minutat shtesë për ta festuar golin e barazimit të Gjilanit, por disa tifozë e sulmuan fizikisht portierin mysafir, madje njëri prej tyre e goditi me shqelm në kokë. Ndeshja ishte ndërprerë dhe Ballkani kishte fituar në tavolinë 3:0 dhe Gjilani ishte dënuar me tri ndeshje pa praninë e shikuesve në stadium.

Nga ajo kohë, Frashëri ka pushuar dhe duket se tashmë ka nisur ta marrë veten, në aspektin fizik dhe atë psikik. Sot ai ishte i pranishëm në stërvitje dhe i gatshëm për ta ndihmuar ekipin në pjesën vendimtare të sezonit. Ballkani e ka krijuar një distancë solide prej 8 pikësh ndaj skuadrave ndjekëse, Drita e Gjilani dhe po shkon me hapa të sigurt drejt titullit historik në Superligë. Me këtë rast, Frashëri me shokë do ta kishin mundësinë të luajnë edhe në Ligën e Kampionëve, për herë të parë absolutisht. 

(Kosova Sot Online )