Komisioni Disiplinor kërkon deklarata shtesë nga kritikuesit e Federatës

  • A.P /
  • 13 April 2022 - 15:38
Komisioni Disiplinor kërkon deklarata shtesë nga kritikuesit e Federatës

Federata e Futbollit të Kosovës e ka bërë sot një tjetër hap drejt ndëshkimit të kritikuesve të saj.

Dje, Komisioni i Garave hapi procedurë disiplinore ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu, drejtorit sportiv të Dritës, Valon Zymberi dhe ndaj drejtorit sportiv të Drenicës, Taulant Dajaku.

Ata ishin kritikë të mënyrës së mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor, i cili ishte mjaft kontrovers dhe i cilësuar si joligjor dhe jostatutor edhe nga Departamenti i Sportit pranë Ministrisë së Sportit, shkruan “Gazeta Express”.

Ata përfunduan dje në disiplinë, ndërsa sot me tre të lartpërmendurit u mor edhe Komisioni Disiplinor i FFK-së.

Ky i fundit i shqyrtoi procedurat e hapura nga Komisioni i Garave dhe me këtë rast hapi procedurë ndaj Salihut, Zymberit dhe Dajakut, në bazë të deklaratave të tyre në emisione televizive.

Komisioni në fjalë kërkon deklarata shtesë nga treshja, e cila me gjasë mund të dënohet për mendimet e tyre të lira dhe kritikat e bëra, njëjtë siç ishte dënuar kohë më parë edhe ish-presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi.

Më poshtë mund ta lexoni vendimin e Komisionit Disiplinor të FFK-së.

“Hapje e procedurës:

Përfaqësuesi i lartë ligjor i FFK-së, Eroll Salihu. Në prononcimin për media shpif, nënçmon, dezinformon dhe diskrediton organet e FFK-së dhe ato të UEFA-s. Sipas xhirime televizive. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore kërkohet deklaratë shtesë nga përfaqësuesi i lartë ligjor i FFK-së, Eroll Salihu deri me datë 19.04.2022 ora 13:00.

Drejtori sportiv i FC ”Drita” Valon Zymberi. Në prononcimin për media akuzon, dezinformon dhe ofendon organet e FFK-së. Sipas xhirime televizive. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore kërkohet deklaratë shtesë nga drejtori sportiv i FC ”Drita” Valon Zymberi deri me datë 19.04.2022 ora 13:00.

Drejtori sportiv të FC ”Drenica”, Taulant Dajaku. Në prononcimin për media akuzon, dezinformon dhe ofendon organet e FFK-së. Sipas xhirime televizive. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore kërkohet deklaratë shtesë nga drejtori sportiv i FC ”Drenica” Taulant Dajaku deri me datë 19.04.2022 ora 13:00”. 

(Kosova Sot Online)