Futbollistët e Zurichut e festojnë titullin e kampionit me këngën e Dafina Zeqirit

  • E.K /
  • 02 May 2022 - 14:22
Futbollistët e Zurichut e festojnë titullin e kampionit me këngën e Dafina Zeqirit

Zurichu u shpall kampion i Zvicrës duke i dhënë fund pritjes 13 vjeçare për titull të kampionit.

Ky ekip fitoi 2:0 ndaj ekipit të dytë në tabelë, Basel për ta siguruar titullin e më të mirit në Superligën e Zvicrës.

Golat për Zurichun i shënuan Assan Ceesay dhe Nikola Boranijasevic për të shkuar në +16 pikë ndaj Baselit, katër xhiro pa përfunduar sezoni.

Kështu, Zurichu i dha fund pritjes nga viti 2009.

E festa në këtë qytet ishte e paparë.

Ajo nisi qysh në dhomat e zhveshjes së ekipit, ku nuk mungoi as kënga shqipe.

Shënuesi i golit, futbollisti nga Gambia, Ceesay e ka publikuar një video në Instastory, ku shihet duke festuar, duke vallëzuar dhe duke e kënduar këngën e Dafina Zeqirit “Llafe Llafe”, siç mund ta shihni edhe në video duke klikuar KETU

Ata po e shijonin në maksimum këtë këngë ritmike të njërës prej këngëtareve më të mira shqiptare.

Pjesë e këtij suksesi të Zurichut ishte edhe futbollisti shqiptar, Blerim Xhemajli.

36 vjeçari e fitoi titullin e tretë të kampionit të Zvicrës me Zurichun.

Krahas tij, tek Zurichu aktivizohen edhe katër futbollistë shqiptarë: Fidan Aliti, Mirlind Kryeziu, Lindrit Kamberi dhe Bledian Krasniqi.