Garë e nxehtë për barazh

  • S.A /
  • 06 May 2022 - 14:28
Garë e nxehtë për barazh

Pasi tashmë është kuptuar emri i kampionit dhe i dy ekipeve që kanë rënë nga liga, gara më e nxehtë në tri xhirot e Superligës do të jetë ajo për t’i ikur barazhit. Këtë fundjavë na pret një përballje direkte ndërmjet Malishevës me Drenicën. Dukagjinin e pret një punë e vështirë, Prishtina e ka lehtë. Superliga po hyn në fazën finale të saj dhe gara po bëhet gjithnjë e më interesante. Më saktësisht, fokusi i të gjithëve do të jetë te barazhi, të cilit po mundohen t’i shmangen katër skuadra. Titulli i kampionit tashmë është përcaktuar, njëjtë si edhe skuadrat që kanë rënë nga liga.

E tash, vëmendja do të jetë tek pozita e tetë, e cila mund të çojë në një rang më të ulët garash.

Pikërisht këtë fundjavë do ta kemi një përballje direkte për barazh. Malisheva do ta presë Drenicën të dielën.

Këto dy ekipe vijnë nga fitoret në mesjavë, ndërsa një trepikësh i ri do të ishte një çlirim për ekipin fitues.

Dukagjini, një tjetër ekip i rrezikuar, do të ketë punë të vështirë pasi do ta vizitojë Dritën.

Gjilanasit po mundohen ta mbyllin sezonin si nënkampionë dhe duan t’i mbajnë pikët në shtëpi.

Por, klinasve iu duhen edhe më shumë pikët, për t’i ikur barazhit. Prishtinën e pret një punë më e lehtë pasi e viziton Ulpianën e dorëzuar tashmë.

Ndërkohë, Llapi do ta kërkojë fitoren ndaj Gjilanit, për t’iu afruar edhe më shumë pozitave që çojnë në Evropë.

Kurse, kampioni i freskët, Ballkani, e viziton Feronikelin e pafuqishëm.

Image

(Kosova Sot Online )