Chiellini e konfirmon largimin nga Juventusi pas 17 vjetësh

  • S.A /
  • 12 May 2022 - 09:51
Chiellini e konfirmon largimin nga Juventusi pas 17 vjetësh

Giorgio Chellini është duke i kaluar javët e fundit të eksperiencës në Juventus. Futbollisti italian ka njoftuar se në fund të këtij sezoni do të largohet nga “Zonja e Vjetër”. Veterani i mbrojtjes në fakt do t’i thotë lamtumirë klubit nga Torino pas 17 vjetësh qëndrimi aty. Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi italian pas humbjes në finale të Kupës së Italisë nga Interi. 37 vjeçari ndihet i nderuar dhe krenar që iu dha mundësia të luajë për gjigantin italian.

“Unë ua kaloj pozitën time të rinjve të shumtë. Vitin tjetër nuk do të jem më këtu, të hënën do ta përshëndes stadiumin tim dhe ndeshja me Fiorentinën do të jetë e fundit për mua. I them lamtumirë me shumë gëzim kësaj skuadre, e cila do më ketë tifozin më të madh, sepse Juve të mbetet brenda”, deklaroi ish-përfaqësuesi italian, i cili e pati një eksperiencë të jashtëzakonshme me “Bianconeri”.

Chiellini ka qenë shtyllë e mbrojtjes së Juves që nga viti 2004, duke luajtur fillimisht në krahun e majtë, e viteve të fundit ka shfaqur stabilitet edhe në qendër të mbrojtjes.

Chiellini mund ta vazhdojë karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi ka marrë oferta nga klubet e ligës MLS.

“Nuk e di, më duhet të mendoj për të ardhmen duke u konsultuar me familjen. Jam i lumtur që po largohem në nivele të larta, sepse e kam thënë vite më parë se nuk dëshiroja të largohesha duke çaluar dhe duke mos qenë në gjendje të luaja në nivelet e mia. Dhashë gjithçka nga vetja”, përfundoi Chiellini.

Ai është një shembull se si një lojtar duhet ta lë shpirtin në fushë. 

(Kosova Sot Online )