Ramirezi nokauton gjermanin Boesel

  • A.P /
  • 15 May 2022 - 15:19
Ramirezi nokauton gjermanin Boesel

Boksieri meksikan Gilberto Ramirez ka nokautuar gjermanin Dominic Boesel, duke fituar të drejtën për të sfiduar titullin e botës në versionin WBA në kategorinë gjysmë të rëndë në boks.

Ramirez 30-vjeçar, ish-kampion bote në kategorinë super të mesme, nokautoi Boeselin në rundin e katërt. Dueli u zhvillua në Ontario.

Për të ishte fitorja e 44-të në po aq meçe dhe e 30-ta me KO.

Boesel fitoi rastin për të luftuar me Ramirezin, pas fitores kontraverse në revanshin me Haxhi Krasniqin. Për Boeselin është humbja e tretë në karrierë karshi 32 fitoreve.

Boesel kishte mposhtur me pikë pas 12 rundeve Krasniqin në shtator të vitit të kaluar, në duelin që ishte i vlefshëm për titullin IBO në kategorinë gjysmë të rëndë dhe duel që do t’i mundësonte afrimit të një lufte për një titull të madh.

Dy anëtarë të jurisë atëbotë i dhanë fitore Boeselit e njëri Krasniqit. Ishte revansh, pasi në tetor të vitit 2020 Krasniqi e kishte nokautuar rëndë Boeselin në rundin e tretë duke ia rrëmbyer titullin IBO dhe titullin e përkohshëm të versionit WBA.

Ekipi i Krasniqit ka kontestuar rezultatin e duelit të shtatorit të vitit të kaluar dhe e ka dërguar rastin në gjykatë.

(Kosova Sot Online)