Futbollit i kthehen dyshimet për kurdisje, kurse basketbollit i kthehet huliganizmi

  • S.A /
  • 16 May 2022 - 13:06
Futbollit i kthehen dyshimet për kurdisje, kurse basketbollit i kthehet huliganizmi

Dy sportet më të popullarizuara në Kosovë, futbolli dhe basketbolli, kanë lënë shije të keqe gjatë fundjavës që lamë pas.

Rezultatet e disa ndeshjeve të Superligës së Kosovës në futboll kthyen në opinion dyshimet për kurdisje, kurse në gjysmëfinale të “Play-Off-it” të Superligës së basketbollit, ndeshjet dramatike u njollosën nga huliganizmi, shkruan Gazeta Express.

Fitoret e tri ekipeve që po luftojnë për mbijetesë në Superligën e futbollit kundër katër skuadrave të kualifikuara në garat evropiane përmes tri ndeshjeve që në total i prodhuan hiq më pak se 16 gola kanë bërë që tabela e rezultateve zyrtare të FFK-së të bëhet virale në rrjetet sociale.

Tifozë nga e gjithë Kosova i kanë vlerësuar haptazi të kurdisura fitoren prej 3:1 të Drenicës kundër kampionit të ri, Ballkanit, triumfin prej 3:2 të Dukagjinit kundër Llapit dhe atë të Malishevës prej 4:3 si mysafire e Gjilanit.

Edhe pse vet klubet dhe federata nuk i kanë komentuar këto rezultate, analistët nëpër studio televizive veç çka nuk thanë troç: “rezultate të kurdisura”.

Ndërsa, pas ndeshjeve në rrjetet sociale u shpërndanë deklarimet e analistëve të cilët para ndeshjeve i kishin parashikuar po të njëjtat rezultate.

Në anën tjetër, në basketboll po zhvillohet një luftë dramatike për titullin e kampionit, sidomos në ndeshjet gjysmëfinale në mes Trepçës dhe Pejës, që po bëjnë luftë të hatashme për kualifikim në finale.

Duelet e forta në mes këtyre dy skuadrave kanë bërë që basketbollit t’i kthehet edhe shikueshmëria e madhe sikurse para disa vitesh.

Por, bashkë me shikueshmërinë këtij sporti i është kthyer edhe dhuna.

Dy ndeshjet e para gjysmëfinale ishin zhvilluar në Mitrovicë, ku në palestrën “Minatori” pati dramë sportive, por raportet e tifozëve mitrovicas dhe pejanë u prishën, me ç ‘rast filluan sharjet në mes tyre dhe pas ndeshjeve ishte raportuar edhe për incidente pas ndeshjes.

Dhe kjo ka vazhduar edhe në ndeshjen tretë në mes Pejës dhe Trepçës, që u zhvillua dje në palestrën “Karafaçi”, ku ishin prezent rreth 2500 tifozë pejanë dhe rreth 300 tifozë mitrovicas.

Sharjet e fyerjet kanë nisur ende pa hyrë tifozët mysafirë në palestër. Ata kanë hyrë vetëm gjatë çerekut të dytë. Ka pasur përpjekje për përleshje fizike posa kanë hyrë tifozët mysafirë në “Karagaçi”, por ka intervenuar policia.

Tifozët shkëmbyen fyerje në vazhdimësi duke e tensionuar ndeshjen. 30 sekonda para përfundimit të ndeshjes, një tifoz pejan hyri në parket e prek një lojtar të mitrovicasve të cilët pastaj refuzuan ta vazhdojnë ndeshjen duke shkuar në zhveshtore.

Ndërkohë në tribuna nisi një incident më i madh në mes grupeve të  tifozëve të cilët hidhnin mjete piroteknike dhe pastaj filluan të gjuheshin edhe me karrige.

Me këtë rast erdhi intervenimi i Policisë, e cila fillimisht i largoi tifozët mysafirë nga “Karagaçi”, e pastaj e zbrazi në tërësi palestrën për të krijuar kushte që të zhvilloheshin 30 sekondat e mbetur të lojës pas një orë ndërprerjeje. 

(Kosova Sot Online )