“Messi nuk është i lumtur në Paris”

  • S.A /
  • 18 May 2022 - 09:41
“Messi nuk është i lumtur në Paris”

Lionel Messi nuk është i lumtur në Paris Saint-Germain.

Për këtë siguron ish-bashkëlojtari i tij tek Kombëtarja e Argjentinës, Carlos Tevez.

Sipas tij, shtatë herë fituesi i Topit të Artë ka pamje krejt tjetër kur luan për Kombëtaren dhe tjetër kur paraqitet me parisienët.

“Messin e shoh ndryshe kur luan për Argjentinën dhe kur luan për PSG-në”, deklaroi fillimisht për “El Nueve” futbollisti me nofkën “Apache”.

“Me Albiceleste është i lumtur, me PSG-në jo. Kjo është kjo. Kur luan me dy ekipet e shoh komplet të ndryshëm”, vazhdoi ish-futbollisti i West Hamit, Manchester Unitedit, Manchester Cityt dhe Juventusit, i cili së fundmi luajti në Boca Juniors, por ishte i suksesshëm edhe në Corinthians.

Ai ka folur edhe për Botërorin e Katarit, i cili do të mbahet në pjesën e dytë të këtij viti, e ku Argjentina synon të dalë triumfuese.

“E shoh një grup të bashkuar dhe të lidhur fort. Kam ndjesi të mira për Botërorin”, përfundoi Tevez.

Messi ishte transferuar në “Parkun e Princave” vitin e kaluar si lojtar i lirë pasi i kishte skaduar kontrata me Barcelonën.

Ai ishte marrë nga PSG-ja si përforcim në tentim për ta fituar Ligën e Kampionëve.

Por, 34 vjeçari e pati një vit të zbehtë në Paris ani pse e fitoi titullin në Ligue 1.

Madje, kohëve të fundit kanë nisur të qarkullojnë zëra se ai dëshiron të rikthehet në “Camp Nou”, por edhe që në vitin 2023 mund t’i bashkohet ekipit amerikan, Inter Miami, i cili është në pronësi të legjendës angleze, David Beckham

(Kosova Sot Online )