Pronari i klubit futet në fushë dhe vendos se kush duhet ta gjuajë penalltinë

  • A.P /
  • 24 May 2022 - 15:10
Pronari i klubit futet në fushë dhe vendos se kush duhet ta gjuajë penalltinë

Një ngjarje aspak e zakontë ka ndodhur në futbollin bullgar.

Në fakt, pronari i klubit Tsarko Selo përfundoi në fushë në tentim për ta shpëtuar ekipin e tij pa rënë nga liga elitare bullgare.

Tsarsko Selos iu dha një penallti në minutën e fundit, ndërsa goli eventual do ta shpëtonte ekipin pa rënë nga liga.

Yusupha Yaffa e mori topin për të gjuajtur nga pika e bardhë, edhe pse nuk ishte një gjuajtës i rregullt i penalltive, shkruan “Daily Star”, përcjell “Gazeta Express”.

Në atë moment, pronari i klubit, Stoyne Manolov përfundoi në fushë për ta larguar Yaffan dhe për t’ia dhënë penalltinë Martin Kavdanskit, i cili e gjuante rregullisht atë.

Por, fatkeqësisht, gjuajtjen e Kavdanskit e priti portieri, ndërsa Tsarsko Selo ra nga liga.

Yaffa, i cili ishte pjesë e të rinjve të Milanit, u largua me forcë nga fusha nga Manolov, për t’u siguruar që ai nuk do të gjuante nga penalltia.

Dyshja u pa duke u fjalosur edhe jashtë fushës në minutën e 97-të, ndërsa ishte sigurimi ai që i ndau ata, për ta evituar një përleshje fizike.


(Kosova Sot Online)