Reali humbjen e fundit në finale e ka pësuar nga Liverpooli, çfarë kishte ndodhur në atë ndeshje 41 vjet më parë?

  • S.A /
  • 28 May 2022 - 12:09
Reali humbjen e fundit në finale e ka pësuar nga Liverpooli, çfarë kishte ndodhur në atë ndeshje 41 vjet më parë?

Dyzetenjë vjet pas përballjes së tyre në qytetin e bukur të Parisit, Liverpooli dhe Real Madridi do të takohen sërish në kryeqytetin francez. Kësaj radhe, këto dy skuadra do të luajnë në finalen e Ligës së Kampionëve për sezonin 2021/22. Skuadra angleze dhe ajo spanjolle ishin takuar në finale të kësaj gare edhe më 27 maj të vitit 1981. Në atë kohë gara quhej “Kupa Evropiane”. Edhe finalja e atij viti ishte luajtur në Paris, por në stadiumin “Parc des Princes”.

Ajo ndeshje ishte fituar 1:0 nga “Të Kuqtë”, falë një goli të shënuar nga ish-mbrojtësi anglez, Alan Kennedy, në minutën e 82-të. Për Real Madridin ishte hera e tretë që pësonte humbje në finale, por e fundit që nga ajo kohë. Kurse, për Liverpoolin ishte hera e tretë që e fitonte titullin e kampionit evropian. Formacionet nga ajo ndeshje mund t’i shikoni në fotografinë e mëposhtme. 

Mbetet të shihet sonte se cili do të jetë rezultati nga përballja finale e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.Finalja mes Liverpoolit dhe Real Madridit do të zhvillohet nga ora 21:00 në “Stade de France”. 

(Kosova Sot Online )