Klopp për transferimin e Manes te Bayern Munich: U largua njëri nga futbollistët më të mirë në histori të Liverpoolit

  • S.A /
  • 23 June 2022 - 15:12
Klopp për transferimin e Manes te Bayern Munich: U largua njëri nga futbollistët më të mirë në histori të Liverpoolit

Sadio Mane ka kompletuar transferimin te Bayern Munich për shifrën e 40 milionë eurove.

Sulmuesi senegalez u largua nga Liverpooli pas gjashtë viteve qëndrim në Anfield Road duke fituar të gjithë titujt e mundshëm.

30-vjeçari zhvilloi 269 ndeshje zyrtare me The Reds ku ka shënuar 120 gola dhe ka asistuar në 48 të tjerë.

E për largimin e afrikanit nga Anfield ka folur edhe trajneri gjerman Jurgen Klopp.

Numri një i shtabit teknik të The Reds ka deklaruar se nga skuadra e tij është larguar një nga futbollistët më të mirë në historinë e Liverpoolit.

“Një nga lojtarët më të mëdhenj të Liverpool-it ndonjëherë u largua. Ai largohet me mirënjohjen dhe dashurinë tonë”.

“Largohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të ‘The Reds’, dhe po, ai largohet në një kohë kur është një nga lojtarët më të mirë të futbollit botëror”.

“Por ne duhet të mos ndalemi e të mos mërzitemi që po e humbasim tani, por të festojmë që kemi pasur privilegjin ta kemi mes nesh. Golat që shënoi, trofetë që fitoi, një legjendë, sigurisht, por edhe një ikonë e Liverpoolit të sotëm. Do të më mungosh”, u shpreh trajneri gjerman.

Mane iu bashkua Liverpoolit në verën e vitit 2016 nga Southampton për 41 milionë euro dhe që nga ajo kohë ka qenë një titullar i padiskutueshëm në urdhrat e Jurgen Klopp.

(Kosova Sot Online )