Komplikohet shitja e Vedat Muriqit

  • A.P /
  • 27 June 2022 - 21:17
Komplikohet shitja e Vedat Muriqit

E ardhmja e Vedat Muriqit është ende e paqartë, derisa raportohet se situata është komplikuar tashmë.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës është i lidhur me një transferim te Mallorca ose Galatasaray, por ende nuk ka oferta konkrete

Mirëpo, “La Gazzetta dello Sport” ka raportuar për një situatë të ndërlikuar.

Në Itali ekziston një dekret, që në rast largimi të Muriqit në afatin kalimtar të verës së këtij viti (jashtë Italisë), Lazio do të humbiste përfitimet tatimore, të cilat janë të vlefshme vetëm për ata që banojnë në Itali për të paktën dy vjet.

Gjithashtu, nëse 28-vjeçari largohet tani, ai duhet t’i kthejë në Thesarin e Shtetit milionat e kursyera. Ky problem nuk do të ekzistonte nëse Muriqi do të largohej në vitin e ardhshëm.

Sulmuesi prizrenas me Lazion ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2025. Ai u transferua te lacialët në vitin 2020 nga Fenerbahce për 20 milionë euro.

Tani, klubi italian thuhet se mund ta pranojë shitjen e tij duke rrezikuar të paguajë taksat në rast se për Muriqin merr një ofertë prej 10 ose 12 milionë euro. 

(Kosova Sot Online)