Ronaldo mungon sërish në stërvitje, shtohen zërat e largimit

  • G.G /
  • 05 July 2022 - 13:12
Ronaldo mungon sërish në stërvitje, shtohen zërat e largimit

Cristiano Ronaldo ka munguar përsëri në stërvitje të Manchester United.

Ylli portugez e kaloi ditën e dytë pa stërvitur me “Djajtë e Kuq”, të cilët dje e nisën fazën përgatitore për sezonin e ardhshëm.

Mediat angleze dje shkruan se 37 vjeçari mungoi për “arsye familjare”, por që menjëherë u zgjuan spekulimet se prapa kësaj mungese qëndron dëshira e portugezit për t’u larguar nga “Old Trafford”.

Mediumi “The Athletic” raporton sot se ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Real Madridit dhe i Juventusit po qëndron në Lisbonë, ku po ushtron individualisht në qendrën sportive të Kombëtares së Portugalisë.

Ditëve të fundit po flitet për një kërkesë eventuale të lojtarit për t’u larguar nga United pasi ai dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve, gjë të cilën nuk ia mundëson gjiganti anglez.

Chelsea është futur në garë për pesë herë fituesin e Topit të Artë, ndërsa atë e pëlqen edhe Bayern Munichu, kurse në orët e fundit u përmend edhe emri i Barcelonës.

Manchester United është i vendosur për ta mbajtur lojtarin edhe një vit, pasi ai ka kontratë.

Në ditët në vazhdim do të dihet më shumë rreth së ardhmes së Ronaldos, i cili u rikthye vitin e kaluar në “Teatrin e Ëndrrave”. 

(Kosova Sot Online)