CAF kërkon hetim ndaj shefit të Napolit

  • S.A /
  • 09 August 2022 - 09:31
CAF kërkon hetim ndaj shefit të Napolit

Konfederata e Futbollit Afrikan (CAF) thotë se është “e tmerruar” nga komentet e fundit të bëra nga presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis. Në një deklaratë, organi drejtues i bëri thirrje UEFA-s që të marrë masa ndaj ekzekutivit për komentet e tij “të papërgjegjshme”. De Laurentiis shkaktoi zemërim kur tha se nuk do të nënshkruante më lojtarë afrikanë nëse nuk pranonin të humbnin Kupën e Kombeve të Afrikës.

Napoli ishte pa Kalidou Koulibalny – tani në Chelsea dhe Andre Zambo Anguissa për disa ndeshje sezonin e kaluar, pasi dyshja garuan në Afcon për Senegalin dhe Kamerunin. “U thashë, djem, mos më flisni më për afrikanët! I dua ata, por ose ata nënshkruajnë diçka që konfirmon se do të tërhiqen nga të luajturit në Kupën e Kombeve të Afrikës, ose përndryshe mes atij turneu, kualifikimeve të Kupës së Botës në Amerikën e Jugut, këta lojtarë nuk janë kurrë në dispozicion! Ne jemi idiotët që paguajmë rroga vetëm për t’i dërguar në të gjithë botën duke luajtur për të tjerët”, ka thënë pronari i klubit të Serie A.

Çfarë tha CAF në përgjigje të De Laurentiis?

Deklarata e CAF në përgjigje të komenteve të presidentit të Napolit thoshte: “CAF është tmerruar nga vërejtjet e papërgjegjshme dhe të papranueshme të bëra nga Presidenti i Napolit, z. Aurelio De Laurentiis për lojtarët afrikanë dhe Kupën e Kombeve të Afrikës. Duke deklaruar publikisht se lojtarët që nënshkruajnë për Napolin duhet të nënshkruajnë një heqje dorë duke denoncuar pjesëmarrjen në Kupën e Kombeve të Afrikës si kusht punësimi, komentet e De Laurentiis [ka të ngjarë] të bien nën nenin 14 të Rregullores Disiplinor të UEFA-s. Prandaj CAF kërkon UEFA të nisë një hetim disiplinor ndaj tij”. CAF tani do të presë një përgjigje nga UEFA, e cila beson se duhet ta gjejë shefin e Napolit në shkelje të rregullave të saj disiplinore. 

(Kosova Sot Online )