Skuadra e Rashanit e fundos skuadrën e Zenelit në vendin e fundit

  • A.P /
  • 14 August 2022 - 17:06
Skuadra e Rashanit e fundos skuadrën e Zenelit në vendin e fundit

Clermont Foot, në të cilën skuadër luan Elbasan Rashani, ia ka dalë që ta mposht skuadrën e Arbër Zenelit me rezultat 2-4 në stadiumin e tyre. Reims kishin epërsinë prej 2-0 në pjesën e parë por e shpërdoruan atë në të dytën duke marrë katër gola. Doumbia (23’) dhe Balogun (30’) shënuan nga penalltia për Reims, kurse Andric (51’, 62’), Cham (72’) dhe Bela (78’) realizuan për Clermont Foot

Stade de Reims e ka nisur si më së keqi sezonin e tyre në Ligue 1, pasi që kanë humbur ndeshjen e dytë me rezultat 2-4, pothuajse si në ndeshjen e parë kur Reims humbi nga Marseille 4-1.

Sulmuesi kosovar i Reims, Arbër Zeneli nuk luajti fare në këtë ndeshje kurse Elbasan Rashani i pati 64 minuta lojë.

Reims ishte rrugës për të fituar pasi që në pjesën e parë krijuan avantazh prej dy golash kundër Clermont. Të dy këta gola u shënuan nga penalltia. Fillimisht shënoi Doumbia në minutën e 23-të nga penalltia kurse rezultatin e dyfishoi po nga penalltia talenti i Arsenalit, i huazuar në Reims, Folarin Balogun në minutën e 30).

Pjesa e dytë filloi shumë keq për Reims.

Me karton të kuq u ndëshkua Agbadou dhe kjo bëri që balanca në fushë të humbiste. Andric shënoi nga penalltia golin e parë në minutën e 51-të. I njëjti lojtar shënoi edhe në minutën e 62-të.

Muhammed Cham do ta përmbyste rezultatin duke shënuar golin e tretë për Reims në minutën e 72-të, kurse i inkuadruari në vend të Rashanit në minutën e 64-të Bela, shënoi golin e katërt në minutën e 78-të, që doli të jetë gol i fitores.

Kjo fitore për Clermont vjen pas humbjes së tyre 0-5 në shtëpi nga Paris Saint-Germain në javën e parë të Ligue 1, duke e ngritur në vendin e 10-të.

Reims në anën tjetër ende nuk ka fituar dhe për momentin është në vendin e fundit. Në dy ndeshje Reims ka pranuar tetë gola, që do të thotë se mbrojtja e kësaj skuadre është duke çaluar, kurse nuk ka shënuar më shumë së tre të tillë.

Në xhiron e tretë Clermont përsëri do të luajë si mysafirë i Lorient, kurse Reims do ta presë në shtëpi Lyonin. 

(Kosova Sot Online)