Dalin në shitje biletat për ndeshjen Ballkani – Shkupi, interesim i madh i tifozëve për t’i blerë ato

  • S.A /
  • 24 August 2022 - 12:32
Dalin në shitje biletat për ndeshjen Ballkani – Shkupi, interesim i madh i tifozëve për t’i blerë ato

Klubi i futbollit Ballkani i ka nxjerrë sot në shitje biletat për ndeshjen e nesërme ndaj Shkupit, e vlefshme për fazën e play-offit të Ligës së Konferencës. Qindra tifozë ia kishin mësyrë pikës ku shiten biletat tek “New Borni” në Prishtinë për t’u pajisur me bileta të hyrjes për ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Radhë të gjatë janë parë sot në kryeqytet, ndërsa biletat do të shiten edhe në Suharekë. Mbi 10 mijë tifozë pritet të jenë prezentë në ndeshjen e nesërme ndaj shkupjanëve, në mbështetje të kampionit të Kosovës, i cili synon ta shkruajë historinë duke u kualifikuar në fazën e grupeve të kësaj gare.

Biletat për në sektorët: Lindje, Veri e Jug kushtojnë nga 1 euro, kurse ato në Perëndim 3 euro dhe VIP 10 euro.

Ballkani e fitoi lojën e parë në Shkup javën e kaluar 2:1 dhe tash e ka një mundësi të artë për ta prerë biletën për fazën tjetër.

Natyrisht, për ta arritur këtë, ekipi i Ilir Dajës ka nevojë për përkrahje të madhe të publikut.

Kontingjenti i Shkupit pritet të zbarkojë sot në Prishtinë, ndërsa të dyja ekipet do t’i zhvillojnë sonte stërvitjet e fundit para duelit të nesërm, i cili do të fillojë në orën 20:00.

(Kosova Sot Online )