Federata e Argjentinës vendos për pezullimin e futbollit, pas atentatit ndaj nënpresidentes

  • E.K /
  • 02 September 2022 - 21:12
Federata e Argjentinës vendos për pezullimin e futbollit, pas atentatit ndaj nënpresidentes

Federata e Futbollit e Argjentinës (AFA) ka pezulluar futbollin në vend pas atentatit të dështuar kundër nënpresidentes së vendit, Cristina Fernandez de Kirchner.

De Kirchner i shpëtoi këtij atentati të enjten, pasi arma e një personi të armatosur u bllokua.

Ky rast ndodhi kur ajo po kthehej në shtëpi nga gjykata në Buenos Aries, pasi po përballet me akuza për korrupsion.

Personi i armatosur, i cili thuhet se është një brazilian 35-vjeçar, u arrestua pas këtij rasti.

AFA njoftoi të enjten mbrëma pas sulmit se po pezullonte futbollin në vend. Të gjitha ndeshjet e parapara që të zhvillohen këtë të premte u anuluan.

E premtja u shpall gjithashtu një festë kombëtare nga presidenti argjentinas, Alberto Fernandez, i cili e përshkroi atentatin ndaj Fernandez de Kirchner si një nga incidentet “më të rënda” që kur vendi u kthye në demokraci më 1983.

“Ne mund të mos pajtohemi, mund të kemi mosmarrëveshje të thella, por gjuha e urrejtjes nuk mund të ndodhë sepse ajo ushqen dhunë dhe nuk ka asnjë shans që dhuna të bashkëjetojë me demokracinë”, tha ai.

Ai shtoi se vendimi për të shpallur të premten një festë kombëtare ishte në mënyrë që argjentinasit të “shpreheshin në mbrojtje të jetës, demokracisë dhe në solidaritet me nënpresidenten tonë”.

Policia në Argjentinë raportohet se tani po përpiqet të përcaktojë një motiv për sulmin ndaj Cristina Fernandez de Kirchner, e cila ishte presidente e Argjentinës nga viti 2007 deri më 2015. 

(Kosova Sot Online)