“Nuk stërvitet, i pëlqejnë festat dhe femrat”, Capello kujton bisedën me Berlusconin për Ronaldon

  • S.A /
  • 26 September 2022 - 09:36
“Nuk stërvitet, i pëlqejnë festat dhe femrat”, Capello kujton bisedën me Berlusconin për Ronaldon

Fabio Capello, i pranishëm “Festival dello Sport di Trento”, foli për karrierën e tij si trajner, duke treguar disa episode për përvojën e tij si trajner I Realit. “Bernabeu është një vend i shenjtë, përgjegjësitë ishin të mëdha. Reali i Madridit është skuadra që ka mbetur më shumë në zemrën time, sepse më duhej ta ndërtoja duke sjellë lojtarë që u mendua se mund të bënin ndryshimin. Kisha katër 20-vjeçare në ekipin e parë, kam sjellë Seedorfin nga Sampdoria dhe Roberto Carlosin për mbrojtjen…” Capello kujtoi fazën e tij të dytë në klubin mbretëror, në sezonin 2006-2007, që mbahet mend si kampionati i përmbysjes.

Në atë skuadër ishte Ronaldo “Fenomeni”, i cili në janar do të largohej drejt Milanit, shkruan “Supersport”.

“Vendimi për të larguar Ronaldon dhe për të nënshkruar me Cassanon ndihmoi në krijimin e një shpirti fitues në skuadër. Ne rikuperuam nëntë pikë nga Barcelona në dhjetë ndeshjet e fundit dhe unë jam ende krenar për këtë arritje edhe sot. Mbaj mend që Silvio Berlusconi më telefonoi për të më pyetur se si ishte Ronaldo. I thash që nuk stërvitej dhe se i pëlqenin shumë festat dhe femrat, kështu që do të ishte gabim ta merrte te Milani. Të nesërmen, pashë titujt e gazetave: “Ronaldo, te Milani”. Ishte vërtet argëtuese”, kujtoi Capello.

Trajneri veteran 76-vjeçar foli edhe për marrëdhëniet e tij me futbollistët:

“Asnjë lojtar, në veçanti, nuk ka treguar mungesë respekti. Sigurisht që mund të bisedonim dhe diskutonim, por nuk do të kisha pranuar sjellje të tjera. Unë nuk kam qenë i ashpër (“rreshter”), më vjen keq që më kanë vënë këtë etiketë”.

(Kosova Sot Online )