“Mjegulla” rreth fuzionimit të kampionit të trefishtë të Kosovës me 1 milion euro borxhe

  • A.P /
  • 05 October 2022 - 15:31
“Mjegulla” rreth fuzionimit të kampionit të trefishtë të Kosovës me 1 milion euro borxhe

Kampioni i trefishtë i Kosovës dhe fituesi i tri Kupave shtetërore, KF Feronikeli, as nuk është shuar e as nuk shihet në asnjërën prej tabelave të tri kategorive të futbollit kosovar. Një borxh i klubit prej rreth 1 milion eurosh u ka shkaktuar problem borxhlinjve, të cilët nuk po mund t’i nxjerrin ato. Klubi është fuzionuar me një klub tjetër, që tani quhet FC Feronikeli 74. Ky thotë se nuk ka asgjë të përbashkët me KF Feronikelin dhe se nuk mund ta marrë përsipër borxhin. Kurse, futbollistët e papaguar ankohen se nuk po mund t’i drejtohen FIFA-s pasi FFK-ja nuk po ua jep vërtetimet. As FFK-ja e as Komuna e Drenasit nuk iu janë përgjigjur pyetjeve  rreth rastit, i cili po konsiderohet si i dyshimtë në qarqet e futbollit. Një rast i mëhershëm i fuzionimit kishte përfunduar në Prokurori, e cila madje kishte ngritur edhe aktakuza.

Një kapitull shumë i rëndësishëm i historisë së futbollit kosovar i takon KF Feronikelit. Klubi nga Drenasi zë vend të rëndësishëm në këtë histori pasi është njëri prej klubeve më të trofeshëm në Kosovë me tre tituj të kampionit dhe me tri Kupa të Kosovës. Po ashtu, është një klub që e ka përfaqësuar Kosovën edhe në garat e UEFA-s. Por, rreth gjithë kësaj historie së fundmi është krijuar një mjegull e madhe. Nuk po dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur me këtë klub pas rënies nga Superliga në edicionin e kaluar

Një klub me emrin KF Feronikeli nuk ekziston më as në kategorinë e dytë e as në kategorinë e tretë të futbollit kosovar.

Por, as nuk është shuar ky klub me nam pasi vazhdon të jetë i regjistruar në institucione shtetërore si OJQ me emrin KF Feronikeli dhe me përfaqësuesin e autorizuar Naser Ramaj, ish donatorin që ishte larguar nga klubi.

Por, në vend të KF Feronikelit në kategorinë e dytë të futbollit kosovar po garon FC Feronikeli 74. Është thënë se KF Feronikeli ishte fuzionuar me një klub tjetër që tashmë njihet si FC Feronikeli 74.

FC Feronikeli 74 është regjistruar si OJQ më 8 shtator të vitit 2020. Ky klub momentalisht është lider në Ligën e Parë, Grupin A.

FC Feronikeli 74 e ka marrë në shfrytëzim edhe faqen zyrtare të KF Feronikelit, të cilës në gusht të vitit 2020 ia kishte ndërruar edhe emrin nga KF Feronikeli në FC Feronikeli 74.

Mirëpo, FC Feronikeli 74 nuk e ka marrë mbi supet e tij edhe borxhin e madh të KF Feronikelit, i cili besohet se është rreth 1 milion euro.

Njëherësh, nuk dihet nëse FC Feronikeli 74 do ta trashëgojë historinë e KF Feronikelit të pasur me tre tituj të kampionit dhe tri Kupave.

Rreth rastit të KF Feronikelit dhe FC Feronikelit 74 kanë dal shumë pak informata zyrtare në publik.

Krejt çka thuhet është se dy klube janë fuzionuar në një dhe se nuk bëhet fjalë për shuarje të KF Feronikelit pasi të dyja figurojnë të regjistruara si OJQ. E ky fuzionim konsiderohet i dyshimtë në qarqet e futbollit kosovar.

Kjo situatë më së shumti u ka nxjerr problem disa futbollistëve dhe punonjësve dhe kompanive bashkëpunuese të cilave u ka mbetur shumë borxhe KF Feronikeli.

(Kosova Sot Online)