Klopp para derbit të javës në Premierligë: Man City është skuadra më e mirë në botë për momentin, por ne luajmë në “Anfield”

  • S.A /
  • 15 October 2022 - 09:42
Klopp para derbit të javës në Premierligë: Man City është skuadra më e mirë në botë për momentin, por ne luajmë në “Anfield”

Jurgen Klopp ka folur para ndeshjes kundër Manchester Cityt, skuadër të cilën e vlerëson si më të mirën në botë momentalisht. Liverpooli do të jetë nikoqir i “Qytetarëve” të dielën, në derbin e javës së 11-të në kampionatin anglez. Në prag të kësaj ndeshje, Klopp tha se i pëlqen që të përgatitet për ndeshje, por e pranoi se kjo është një sfidë e vështirë. “Më pëlqen të përgatitem për ndeshje. Por kjo është sfida më e madhe me të cilën mund të përballesh në futboll, sepse futbolli ka të bëjë me mbylljen e hapësirës, ​​mbylljen e lojtarëve, punën në fushat e duhura”, tha ai. “Nëse e mbyllni Man Cityn këtu, ata do të jenë atje. Nëse e mbyllni këtë hendek, hapin një tjetër.

Kështu që është gjithmonë një sfidë. Nuk është se ne tani ndihemi ndryshe apo diçka e tillë. Është një lojë në shtëpi, është ‘Anfield’. Jemi ne kundër Man Cityt”, shtoi trajneri gjerman.

“Po, ata janë ekipi më i mirë i futbollit në botë për momentin. Por, ne do të përpiqemi gjithsesi, duke e ditur që nuk ka garanci. Një ‘Anfield’ i plotë do të na ndihmojë dhe ne do të përpiqemi ta shfrytëzojmë këtë”, deklaroi Klopp.

Kujtojmë se “Të Kuqtë” nuk e kanë nisur mirë sezonin 2022/23 – pasi momentalisht renditen në pozitën e 11-të në tabelë me 10 pikë të grumbulluara nga 8 ndeshje të zhvilluara.

Liverpooli ndodhet 12 pikë prapa Manchester Cityt që është i dyti dhe 13 pikë prapa skuadrës lidere, Arsenalit.

Vlen të theksohet se skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola ende nuk e ka shijuar humbjen këtë sezon në Premierligë.

(Kosova Sot Online )