Në Prishtinë po rritet talenti nga familja heroike e Jasharajve, rrëfehet Igballi

  • A.P /
  • 28 October 2022 - 18:50
Në Prishtinë po rritet talenti nga familja heroike e Jasharajve, rrëfehet Igballi

FC Prishtina në gjirin e saj e ka një ndër futbollistët më premtues të futbollit kosovar, Igball Jasharin.

17-vjeçari që aktivizohet si sulmues është pasardhës i familjes Jashari nga Prekazi i Skenderajt, familje e cila në mars të vitit 1998 në luftimet me Ushtrinë dhe Policinë e Serbisë humbi 58 anëtarë, të cilët ranë dëshmorë për të mos vdekur kurrë në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.

Vepra e familjes Jashari është ngjarja më e rëndësishme që ka vënë themelet e Kosovës së pavarur ku ne sot luajmë futboll në liri.

Igballi para si t’i bashkohet Prishtinës, ka qene pjesë e Shkollës së Futbollit “Kurda” si dhe ekipin KF Drenica.

Talenti i Jasharajve është pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës U-19, ndërkohë më herët ka qenë kapiten te Kosova U-17.

Futbollisti që dallohet për talentin dhe punën e madhe në stërvitje aktualisht i zhvillon ndeshjet te skuadra e juniorëve të Prishtinës, ndërkohë që stërvitjet i ka të kombinuara, me juniorët e herë me skuadrën e parë.

Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit kryeqytetas, Igballi foli për synimet e tij si dhe përkrahjen e madhe që nuk i mungon as nga familja e tij e as nuk klubi i Prishtinës.

Puna te FC Prishtina – Deri më tani kam pasur një zhvillim të mirë tek juniorët e Prishtinës si në ndeshje po ashtu edhe në stërvitje ku e ka dhënë maksimumin.

Normalisht, unë çdo herë kërkoj më shumë nga vetja dhe do të vazhdoj të punoj që të përmirësohem edhe më shumë.

Synimet – Si çdo lojtar ambicioz edhe unë pres momentin tim për të debutuar me ekipin e parë pasi që për këtë punoj dhe angazhohem tej mase. Besoj që gatishmërinë e kam dhe mendoj që mund t’i ndihmoj ekipit dhe normalisht të mësoj edhe nga lojtarët më me përvojë në ekipin e parë.

Puna me trajnerin Ismet Munishi – Unë dhe shokët e mi jemi tejet mirënjohës ndaj trajnerit Munishi që na jep mundësinë neve lojtarëve të rinj dhe e kemi për obligim ta shpaguajmë besimin e tij me rezultate, disiplinë dhe përkushtim maksimal.

Krenari dhe përgjegjësi– Unë ndihem mjaft krenar që jam pasardhës i familjes Jashari, gjithashtu ndihem krenar që e mbaj emrin e xhaxhit tim Igball, por në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi e madhe.

(Kosova Sot Online)