Xavi: Eksperiencë dëshpëruese në Ligën e Kampionëve, tash synojmë ta fitojmë Ligën e Evropës

  • S.A /
  • 02 November 2022 - 09:02
Xavi: Eksperiencë dëshpëruese në Ligën e Kampionëve, tash synojmë ta fitojmë Ligën e Evropës

Barcelona e shënoi një fitore të vonshme mbrëmë duke e mundur Viktoria Plzenin me rezultat 4:2.

“Blaugrana” kështu e mbyllën me fitore fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Por, për fatin e keq të gjigantit katalunas, ky ekip do t’i vazhdojë garat në Ligën e Evropës pasi përfundoi në pozitën e tretë, prapa Bayernit dhe Interit.

Trajneri Xavi Hernandez e ka komentuar këtë eksperiencë, teksa ka thënë se tash ky ekip synon ta fitojë garën e dytë më të rëndësishme të futbollit evropian.

“Jam i kënaqur me disa gjëra, po jo edhe më shumë të tjera. Viktoria Plzen e bëri një lojë me intensitet të lartë, krijuan më shumë raste. Ishim të mirë, por vuajtëm shumë, mbi të gjitha në mbrojtje”, deklaroi fillimisht trajneri katalunas për “Movistar”.

“E kishim një eksperiencë negative. E kishim kualifikimin në mes të duarve tona. E bëmë një lojë të mirë në Munich, por pa përfituar asgjë. Championsi është kështu, fatkeqësisht. E njëjta gjë ndodhi edhe në Milano dhe kjo gjë na i vështirësoi punët”, vazhdoi Xavi.

“Europa League? Tash objektiv yni është të shkojmë deri në finale dhe ta fitojmë atë”, përfundoi trajneri i Barcelonës. 

(Kosova Sot Online )