Kështu i kujtonte Qiro Bllazheviq kohët e drejtimit të ekipit të Prishtinës me legjendën e futbollit Fadil Vokrri

  • S.A /
  • 08 February 2023 - 09:46
Kështu i kujtonte Qiro Bllazheviq kohët e drejtimit të ekipit të Prishtinës me legjendën e futbollit Fadil Vokrri

Qiro Bllazheviq ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Kosovë. Trajneri kroat, i cili ndërroi jetë në orët e hershme të ditës së sotme e kishte drejtuar FC Prishtinën në periudhën e saj të artë, kur kishte arritur të luante edhe në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë.Në një postim të bërë vitin e kaluar, katër vjet pasi kishte ndërruar jetë legjenda shqiptare, Fadil Vokrri, Qira e kishte kujtuar ish-futbollistin e tij, përcjell "Kosova Sot Online".

“Kanë kaluar 4 vjet nga vdekja e papritur e Fadil Vokrrit dhe ende me shumë mall e kujtoj popullaritetin e tij dhe dashurinë e përgjithshme që publiku ushqente ndaj tij në kohën kur unë e drejtoja Prishtinën. Aq i fortë, shpërthyes, i shkathët, me teknikë dhe goditje të shkëlqyer, ai shkundi lehtësisht të gjithë mbrojtësit që përpiqeshin ta ndalonin. Ai dinte çdo gjë, si të shënonte ashtu edhe të asistonte e të shënonte edhe me kokë. Në këmbë shpesh e kishte topin dhe dinte të gjuante nga 20 metra e ta mposhte portierin si për shaka. Por nuk ishte vetëm një futbollist i talentuar, por edhe një burrë i madh. Human që me karakterin e tij bënte për vete masën. Kur i do njerëzit – atëherë edhe ata të duan! Ai ishte shumë emocional, dhe kështu jam edhe unë tash që e kujtoj atë dhe një nga aventurat më të bukura të jetës sime. I gjithë qyteti jetoi për klubin për ta shpëtuar atë. Sot, historia e asaj epoke të paharruar përcillet brez pas brezi, dhe edhe sot ndiej kënaqësi të pamasë për periudhën që kalova me Fadil Vokrrin në Prishtinë”, kishte shkruar Bllazheviq.

Ai tutje e kishte pranuar se i kishte mbetur merak që s’kishte mundur ta transferonte Vokrrin në Dinamo Zagreb.

“Ajo që më vjen sinqerisht keq është që nuk arrita ta bindi Vokrrin të vinte në Dinamo. Partizani dhe Dinamo i ofruan kontrata joshëse atij për dy vjet, por në fund ai pranoi ofertën e Partizanit, që ishte shumë më e mirë për të, sepse Dinamo nuk ishte aq e fuqishme në atë kohë sa të mund ta përballonte financiarisht. Për ta përmbyllur këtë kujtim në përvjetorin e sotëm: Fadil Vokrri ishte dhe do të mbetet një figurë historike e klimës sonë dhe jam i lumtur që e pata privilegjin që ta stërvisë”, kishte shkruar tutje Bllazheviq.

(Kosova Sot Online)