Superliga në mesjavë, katër skuadrat e para përballen mes vete në dy derbi

  • S.A /
  • 08 March 2023 - 10:26
Superliga në mesjavë, katër skuadrat e para përballen mes vete në dy derbi

Superliga e futbollit do të rikthehet këtë mesjavë me dy ndeshje derbi, të cilat do të luhen të enjten. Pa dyshim, ndeshja  kryesore e xhiros së 24-t do të jetë ajo mes liderit të ligës elitare, Ballkani dhe pretendentes tjetër për titull të kampionit të Kosovës, Drita, shkruan "Kosova Sot Online".

Për momentin, këto dy skuadra i ndajnë veç dy pikë, me ekipin Portokalli që prin me 49 pikë, derisa gjilanasit i kanë 47. Pra, në Suharekë na pret një ndeshje e zjarrtë, ku të dyja skuadrat i kanë gjasat e mira për të fituar.

Therandasit me një fitore eventuale do të shkëputeshin në 5 pikë dhe do të gjendeshin në një pozitë me komode.

Kurse, “Intelektualët” fitorja do t’i shpinte në krye të tabelës, derisa barazimi do ta linte distancën e njëjtë.

Një tjetër ballafaqim interesant, që do të luhet po ashtu të enjten do të jetë ai mes Gjilanit dhe Prishtinës.

Gjilanasit me një fitore në shtëpi do të shkëputesin në 10 pikë në vendin e tretë karshi Bardhekaltërve, të cilët janë në vendin e katërt.

Por, ekipi i Ismet Munishit do të shkojë në Gjilan për fitore pasi vetëm në këtë mënyrë do t’i afrohej pozitës së tretë, e cila çon në Evropë.

Ndërkaq, sot do të luhen tri duelet e para të kësaj xhiroje. Malisheva dhe Dukagjini do të përballen mes vete në kërkim të trepikëshit, i cili do ta largonte sadopak ekipin fitues nga zona e rrezikshme.

Ferizaj do të mundohet me të gjitha forcat që ta mposht Llapin dhe t’i mbajë gjallë shpresat e shpëtimit.

Kurse, Drenica – Trepça ’89 është derbi i skuadrave të rrezikuara për të rënë nga liga, të cilat gjenden thuajse në fund të tabelës.

Pesë ndeshjet e mesjavës do të fillojnë në orën 13:00. 

(Kosova Sot Online )