Bayern – PSG, super-sfida e gjigantëve evropianë, Milani e kërkon kualifikimin në Londër

  • S.A /
  • 08 March 2023 - 10:02
Bayern – PSG, super-sfida e gjigantëve evropianë, Milani e kërkon kualifikimin në Londër

Bayern Munichu dhe Paris Saint-Germaini do të përballen sonte mes vete në super-sfidën e gjigantëve evropianë. Bavarezët e fituan lojën e parë mes tyre në Francë pak javë më parë me rezultat minimal, 1:0 falë golit të Kingsley Coman, në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve.

E tash, kampioni gjerman do të mundohet ta ruajë kapitalin e krijuar në “Parkun e Princave”.

Bayernit do t’i konvenonte edhe një barazim në “Allianz Arena”, por që, për çdo rast, do ta tentojë fitoren për t’i hequr dilemat e kualifikimit. Nga ana tjetër, parisienët janë më të motivuar se kurrë më parë për të përmbysur gjithçka në Gjermani. Edhe pse pa Neymarin, Messi e Mbappe me shokë e kanë një mision të vetëm – fitoren në Bavari dhe kualifikimin tutje në Champions. E ekipit të Julian Nagelsman do t’i mungojnë Benjamin Pavard dhe Manuel Neuer, ndërsa Sadio Mane është i gatshëm për duelin e sontëm. Ndërkohë, sonte do të zhvillohet një tjetër sfidë interesante. Tottenhami do t’i bëjë gosti Milanit në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales së kësaj gare. Ballafaqimin e parë në Itali e fituan “Rossoneri” me rezultat minimal, 1:0. Kuqezinjtë kanë shkuar në Londër për ta ruajtur këtë epërsi të lehtë. Nga ana tjetër, skuadra e Antonio Contes di të jetë e frikshme në shtëpi. Andaj, me ndihmën e tifozëve të flaktë, londinezët do të mundohen të përmbysin gjithçka dhe ta presin biletën e çerekfinales. Këto dy ndeshje do të fillojnë në orën 21:00.

(Kosova Sot Online )