Fitore për Trepçën’89

  • A.P /
  • 08 March 2023 - 15:29
Fitore për Trepçën’89

Kanë përfunduar tri duelet e sotme në kuadër të xhiros së 24-të të Superligës në futboll.

Interesantja e këtyre ndeshjeve ishte se të gjitha përfunduan me rezultat identik, 2:1.

Dy fitore i takuan mysafirëve, derisa nderin e vendësit e ruajti Ferizaj. 

Pas një starti të mirë të sezonit pranverë, skuadra e Llapit ka filluar të bie.

Llapjanët kanë marrë humbjen e tretë radhazi. Ata janë befasuar si mysafir të Ferizajt me rezultatin 2:1.

Në fakt, të parët në avantazh kaluan të besuarit e Tahir Batatinës, me autor Gerhard Prognin, i cili realizoi nga afërsia në minutën e 11-të.

Vendësit arritën që në pushimin e pjesës së parë të shkojnë me rezultat të barabartë.

Në minutat shtesë të kësaj periudhe, ferizajasit barazuan shifrat nëpërmjet golit të Edon Sadriut.

Ishte sërish Sadriu i cili realizoi golin e dytë për ekipin e tij dhe të dytin personal në këtë sfidë, në minutën e 58-të. Ky doli të jetë edhe goli i tre pikëve për Ferizajn.

Falë këtij triumfi, Ferizaj largohet nga pozita e fundit dhe e zhvendos Drenicën aty, derisa vet del në të nëntin dhe grumbullon 24 pikë.

Në krahun tjetër, Llapi mbetet me 29 pikë dhe humb vendin e pestë.

Fitore të madhe dhe me përmbysje për Trepçën’89 në udhëtim te Drenica me shifrat 2:1.

Qysh në minutën e gjashtë, vendësit kaluar në avantazh nëpërmjet këtij goli të bukur të realizuar nga braziliani Diego Armando Lopes.

Në minutën e 32-të erdhi barazimi i 89-shit. Ishte Shkëlzen Lushtaku që realizoi gol, por fatkeqësisht në portën e vet për 1:1.

Në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 58-të mysafirët shënuan golin e tre pikëve.

Këtë ia dhuroi Rilind Nimanit me këtë gol të bukur për 2:1 dhe rezultatin final.

Xehetarët ngjiten në vendin e shtatë me 26 pikë, derisa Drenica bie në fund me 23 pikë.

Ndeshja e fundit e ditës e cila po ashtu u mbyll 2:1, ishte ajo mes Malishevës e Dukagjinit.

Fitore arritën klinasit dhe me tre pikët e tyre ngjiten të pestit me 29 pikë. Në krahun tjetër, malishevasit janë të tetit me katër pikë më pak.

Tre pikët Dukagjinin ia siguruan dy futbollistët Khomutov e Santos, derisa për Malishevën nuk mjaftoi goli i Bihorac. 


(Kosova Sot Online)