Kombëtarja e Kosovës në hendboll e gatshme për ndeshjen e radhës

  • A.P /
  • 12 March 2023 - 09:30
Kombëtarja e Kosovës në hendboll e gatshme për ndeshjen e radhës

Kombëtarja e Kosovës në hendboll është e gatshme për ndeshjen e radhës në kualifikimet për Euro 2024.

“Dardanët” janë nisur të shtunën në mëngjes nga Kosova për në Tuzla, ku do të zhvillohet kjo ndeshje sot nga ora 17:00.

Bosnja triumfoi të mërkurën në Prishtinë me rezultat 25:22.

E pas kësaj ndeshjeje, “Dardanët” kanë punuar për ta lënë prapa atë humbje dhe që të reagohet në mënyrën e duhur në ndeshjen e vështirë në udhëtim.

Sipas Bujar Ramosajt, liderit të mbrojtjes kosovare, reagimi i duhur është të luftohet maksimalisht për njëri-tjetrin e mbi të gjitha për ngjyrat e shtetit.

Ramosaj shquhet vazhdimisht për luftën e madhe dhe të pakompromis në mbrojtje.

Kështu ishte edhe të mërkurën mbrëma.

“Kemi punuar që ta lëmë prapa atë humbje. Po konsolidohemi dhe udhëtojmë me besim për në Bosnjë, ndonëse e dimë që na pret tjetër ndeshje e vështirë. Por në këtë fazë garash nuk ka ndeshje të lehta. Ka disa vjet që përballemi me top-kombëtare evropiane dhe e dimë që asnjëherë nuk është lehtë. Nuk do të jetë as të dielën. E rëndësishme është të luftojmë dhe të angazhohemi deri në fund. Nëse luftojmë për njëri-tjetrin e mbi të gjitha për shtetin tonë, atëherë mund ta mbajmë kokën lartë, pavarësisht rezultatit. Por përfundimisht me luftë maksimale sportive, rezultati pozitiv është i mundshëm. Këtë na e dëshmon e kaluara. Unë kam besim të plotë në bashkëlojtarë se do të vazhdojnë të japin maksimumin”, ka thënë Ramosaj para nisjes për në Tuzlla të Bosnjë-Hercegovinës.

Humbja në shtëpi në mesjavë nga Bosnja ia ka humbur gjasat për kualifikim në Evropianin e ardhshëm Kosovës. 

(Kosova Sot Online)