Federata e Boksit: Ky është viti i tretë me radhë që politika bëhet pengesë

  • A.P /
  • 12 March 2023 - 13:46
Federata e Boksit: Ky është viti i tretë me radhë që politika bëhet pengesë

Federata e Boksit të Kosovës ndihet mjaft e shqetësuar me faktin se Donjeta Sadiku mund të mbetet pa pjesëmarrje në Kampionatin e tretë Botëror shkaku i problemeve me viza.

Shtëpia e boksit kosovar insiston se politika është ajo që po përzihet në sport dhe që po ua mohon sportistëve të drejtën elementare – pjesëmarrjen në gara, për të cilat përgatiten dhe derdhin djersë.

FboxK e ka shpjeguar krejt ecurinë e procedurave për pajisjen me vizë të boksieres më të mirë në Kosovë, premtimet që i ka marrë dhe në fund zhgënjimin që po e përcjell

Ekipi kosovar është dashur të niset të hënën (nesër) për në Indi, ku pasnesër do të hidhet shorti për Botëror, por që Donjeta Sadiku nuk është pajisur ende me vizë.

Pra, koha ia ka kthyer shpinën boksieres nga Gollaku, e cila mund ta humbasë edhe një garë të madhe shkaku i politikës, pasi nuk po mundë të marrë vizë.

“Politika përsëri pengesë e sportit. Ky është viti i tretë me radhë që politika bëhet pengesë për pjesëmarrjen e Kosovës në Kampionatin Botëror në Indi”, shkruan fillimisht Federata e Boksit të Kosovës.

“Kombëtarja e Kosovës në boks përsëri po ballafaqohet me probleme për pjesëmarrjen në kampionate botërore nga shtetet të cilat nuk e njohin shtetin e Kosovës. Federata e boksit qysh nga muaji janar ka dorëzuar dokumentacionin e kompletuar për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror, i cili do të mbahet nga data 14-26 Mars 2023 në  New Dehli-Indi. Edhe pse Komiteti Olimpik i Indisë dhe Federata e Boksit e Indisë fajin ja hedhin Qeverisë Indiane gjegjësisht Ministrisë së  punëve te jashtme te Indisë për mos pajisjen me viza për Kombëtaren e Kosovës në Boks”, shpjegon tutje institucioni më i lartë i boksit kosovar.

(Kosova Sot Online)