‘Fury ka frikë dhe bën kërkesa qesharake për ta shmangur meçin me Usyk’

  • S.A /
  • 14 March 2023 - 08:55
‘Fury ka frikë dhe bën kërkesa qesharake për ta shmangur meçin me Usyk’

Promovuesi i Oleksandr Usyk beson se meçi me Tyson Furyn nuk do të ndodhë duke theksuar se Gypsy King po përpiqet ta shmangë ukrainasin dhe ka frikë të përballet me të.Kjo deklaratë vjen pas kërkesës së britanikut që të mos përfshihet klauzola e rimeçit në duelin potencial që do ta vendoste kampionin e padiskutueshëm të botës në kategorinë e peshave të rënda, përcjell "Kosova Sot Online".

Usyk më herët i la pranuar kërkesat e Furyt për ndarje të përfitimeve në raport 70 me 30 në favor të anglezit, me kusht që ai të dhurojë një milion funte për Ukrainën.

Mirëpo, mëngjesin e të hënës, kampioni i WBC ka publikuar një video në rrjetet sociale duke bërë kërkesa të reja që ka nxitur reagimin e Alexander Krassyuk – promovuesi i kampionit të WBA, IBF dhe WBO.

“Siç ka thënë Usyk, barku i pangopur (Fury) ende shpreson të gjejë një mënyrë për t’u tërhequr. Ne e dinim më parë dhe e dimë tani. Sapo Usyk të pranojë një klauzolë të mos ketë rimeç, do të jetë një kërkesë tjetër për t’u tërhequr nga dueli”.

“Unë jua them pse. Ai doli blof dhe Usyk e pranoi blofin e tij. Kjo është 100 për qind. Ai nuk e priste që Usyk të pranonte 70/30… Ai nuk është i përgatitur dhe është i frikësuar për të luftuar. Ai do të përpiqet të gjejë një mënyrë për të shmangur Usykun për aq kohë sa të jetë e mundur”, ka deklaruar Krassyuk për talkSPORT.

Promovuesi ka theksuar tutje se ka qenë ekipi i Furyt që fillimisht e kishin propozuar klauzolën e rimeçit, derisa Tyson në video ka theksuar se vetëm tani e ka marrë vesh këtë çështje.

Ndryshe, dy boksierët janë pajtuar paraprakisht që meçi i unifikimit të titujve dhe shpalljes së kampionit të padiskutueshëm të zhvillohet më 29 prill në Wembley.

(Kosova Sot Online )