Boehly synon blerjen e aksioneve në klubin e njohur francez

  • A.P /
  • 17 March 2023 - 22:50
Boehly synon blerjen e aksioneve në klubin e njohur francez

Todd Boehly raportohet se është i gatshëm për të blerë aksione në klubin e Strasbourgut, pasi presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, paralajmëroi ndryshimi i një rregulli.

Ceferin la të hapur mundësinë që dy klube me të njëjtin pronar të luajnë në të njëjtin kompeticion evropian.

Kjo ka bërë që Boehly të përshpejtojë përpjekjet për të blerë aksione te klubi francez, sipas “The Guardian”. Përqindja e aksioneve që synohet të blihen nuk u bë e ditur.

Konsorciumi i udhëhequr nga Boehly mori në pronësi Chelsean përpara sezonit 2022/23. Ata kanë shpenzuar shumë që atëherë pasi mbi 500 milionë funte janë investuar në forcimin e skuadrës.

Biznesmeni amerikan ka plane madhështore dhe ai zbuloi shtatorin e kaluar se ai dëshiron një “model me shumë klube” që do t’i lejonte Chelseat të huazonte lojtarët e tyre të rinj nga një klub në tjetrin për t’u zhvilluar.

Marc Keller, presidenti i Strasbourgut, ka konfirmuar se ai ka qenë në bisedime me Boehlyn për një shitje të plotë ose të pjesshme të aksioneve.

Ai në fillim të këtij muaji kishte pranuar se kishte drekuar me partnerët e Boehlyt dhe vetë Boehlyn për të diskutuar një marrëveshje të mundshme.

“Po takoj njerëz, nga Chelsea dhe tjerë .Aksionarët e tjerë dhe unë kemi një ndjenjë përgjegjësie dhe do të jemi të kujdesshëm në lidhje me profilin e investitorëve të mundshëm, pavarësisht nga kombësia e tyre”, ishte shprehur Keller.

Që atëherë, sipas “The Guardian”, bisedimet janë intensifikuar me Chelsean që tani është gati të blejë aksione në klubin nga elita e futbollit francez.

Presidenti i klubit londinez thuhet se e ka deleguar Tom Glick për të marrë në dorë procesin, pasi më herët amerikani provoi të blinte aksione te Lyon, Sochaux dhe Bordeaux.

Strasbourg, që po rrezikon rënien nga Ligue 1, është në kërkim të investitorëve që një kohë dhe mund t’i japë fund kërkimeve së shpejti, nëse arrihet një marrëveshje.


(Kosova Sot Online)