Cikalleshi: Polonia është ekipi më i fortë në grup

  • A.P /
  • 20 March 2023 - 17:19
Cikalleshi: Polonia është ekipi më i fortë në grup

Shqipëria nisi zyrtarisht këtë të hënë grumbullimin në prag të nisjes së ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Kombëtarja shqiptare do të luajë vetëm një ndeshje këtë muaj, atë në udhëtim kundër Polonisë, më 27 mars.

Sokol Cikalleshi u paraqit sot në konferencë për media, ku foli rreth objektivit të “Kuqezinjve” për sfidën ndaj polakëve.

Sulmuesi nga Kavaja u shpreh se ndeshja kundër Polonisë është shumë e vështirë, por se ata do të tentojnë të marrin pikët maksimale dhe ta nisin mbarë këtë fushatë kualifikuese.

Cikalleshi foli edhe për trajnerin e ri të Kombëtares, Sylvinho, sa do ta penalizojnë grupin dëmtimet, ndërsa nënvizoi se kuqezinjtë duhet të funksionojnë si grup dhe të kenë harmoni me njëri-tjetrin.

Rreth takimit me Poloninë, Cikalleshi u shpreh: “Tani fillon një edicion i ri për ne. Aq më tepër që ndeshja e parë është një nga ndeshjet më të vështira. Polonia është ekipi më i fortë në grup. Besoj që duke u nisur edhe nga kualifikueset e kaluara, që i nisëm në Portugali dhe që arritëm të marrim një rezultat pozitiv në ato kohë dhe u kualifikuam. Uroj të kemi të njëjtën vazhdimësi. Nuk besoj se jam i vetëm në majën e sulmit, por ai lojtar që do luajë, të bëjë maksimumin, si një grup, si një ekip që të tregojmë shpirtin e garës dhe në këtë ndeshje ta nisim mbarë. Siç është edhe ajo shprehja, fillimi i mbarë, gjysma e punës. Dhe nëse marrim rezultat pozitiv në Poloni, gjërat mund të thjeshtësohen disi”.

Për stafin e ri të trajnerëve, Cikalleshi tha: “Ata sapo kanë ardhur dhe do të ketë kohën e nevojshme këtë javë. Si ata me ne, por edhe ne me ata, që të njihemi mirë. koha është paksa e shkurtër, por besoj që si ne, edhe trajneri, jemi të gatshëm që në këtë kohë të shkurtër të bëjmë më të mirën dhe të shkojmë në ndeshjen e Varshavës sa më të përgatitur. E thashë që është ndeshja më e vështirë e këtij edicioni. E nisim në Varshavë. Është një nga ndeshjet më të vështira, por mund të bëhet një nga ndeshjet që mund të na japë shtysën për të arritur kualifikimin në fund dhe të na japë vetëbesim që nëse fitojmë aty, rruga mund të bëhet më e lehtë më pas”.

Tutje, 32-vjeçari foli për mungesat e Shqipërisë shkaku i lëndimeve, duke thënë: “Dëmtimet dhe lojtarët që mungojnë janë nga më të rëndësishmit e Kombëtares sepse e kanë treguar në fushë këtë gjë. Na ka qëlluar edhe më parë me Poloninë, në ndeshjen e 12 tetorit këtu, që ishte shumë e rëndësishme për kualifikueset e Botërorit. Nëse do ta fitonim atë ndeshje këtu, kishim shanse për t’u kualifikuar dhe në atë takim kemi pasur shumë mungesa. Po na ndodh e njëjta situatë tani, por nuk dua të fokusohemi këtu, dua të shohim anët pozitive sepse grupi është 23 lojtarë. Diferencat mes lojtarëve nuk janë shumë të mëdha dhe besoj se kushdo që do të jetë në fushë, do të bëjë më të mirën për t’i zëvendësuar këto lojtarë”.

Sulmuesi që po luan si i huazuar te skuadra nga Arabia Saudite, Al-Khaleej, foli edhe për përballjet e kaluara me Poloninë.

“Ndeshjen e parë ndaj Polonisë e kemi bërë shumë të mirë, edhe pse rezultati nuk e tregon. Pas rezultatit 2-1, kemi pasur një penallti neto dhe gjërat mund të kishin ndryshuar. Ajo që mund të them sot, është që duke qenë se kemi dalë nga dy ndeshje me pishman, të bëjmë një analizë të thellë dhe ato gabime që kemi bërë mos t’i përsërisim sepse vetëm kështu mund të mos dalim sërish me pishman”.

Cikalleshi po vlerësohet edhe si lideri i ri i Shqipërisë, teksa rreth kësaj ai u shpreh: “Grumbullimi filloi vetëm dje dhe unë dje kam ardhur në grumbullim dhe kam pasur një bisedë të thjeshtë me trajnerin. Nuk dua ta konsideroj veten asnjëherë lider sepse lider i mirë është ai që e tregon me vepra dhe jo me shumë fjalë. Unë si brenda fushës dhe jashtë e kam bërë dhe jam munduar të ndihmoj çdo lojtar që të ndihet mire, sa herë të jetë afër meje. Kështu që mund të vijë dhe pak nga eksperienca. Jam i gatshëm që ta bëj më së miri këtë gjë. Kam qenë mbështetje. Dhe jo vetëm unë, por ka dhe disa lojtarë të tjerë që kanë vite që kontribuojnë për lojtarët. Duhet të japim më shumë rëndësi, duke qenë se jemi kombëtare e vogël, duhet të jemi në harmoni dhe grup me njëri-tjetrin. Është i rëndësishëm grupi, sepse aty del në pah edhe shpirti i garës, forca në grup”.

Në fund,  Sokol Cikalleshi u pyet edhe nëse do të ishte i kënaqur me një pikë nga përballja me Poloninë, teksa tha Shqipëria opsion të parë e ka fitoren, kurse barazimi është opsioni i dytë.

“Pavarësisht se kush është kundërshtari në fushë, duhet të futesh për të fituar ndeshjen. Opsioni i parë është për ta fituar ndeshjen, por duke qenë se është kundërshtar që e kemi direkt për vendin e parë, edhe një plan B mund të jetë dhe barazimi. Unë nuk e kam menduar edhe kur kemi luajtur edhe me ekipe më të forta si me Francën ose Anglia, kemi shkuar për të fituar. Këto janë plane që duke tentuar më të mirën, pastaj të marrin gjysmën e të keqes. Do të shkojmë për të fituar ndeshjen. Është një grup shumë i fortë, por me grupin që kemi dhe me shpirtin e garës, mendoj se mund të marrim një rezultat pozitiv”, deklaroi Cikallleshi. 

(Kosova Sot Online)