Napoli e gjen zëvendësuesin e Rrahmanit

  • A.P /
  • 23 March 2023 - 16:05
Napoli e gjen zëvendësuesin e Rrahmanit

Amir Rrahmani mund të largohet nga Napoli në fund të sezonit nëse nuk arrin marrëveshje për vazhdimin e kontratës.

Qendërmbrojtësit kosovar do t’i skadojë kontrata aktuale në verën e vitit tjetër, por që pakët nuk po mund ta gjejnë gjuhën e përbashkët, përkundër bisedimeve që po i zhvillojnë.

Drejtori sportiv i Napolit, Cristiano Giuntoli është duke hasur në vështirësi për të arritur marrëveshje me menaxherin e futbollistit kosovar

Edhe pse të dyja palët do të donin që bashkëpunimi të vazhdojë, çështja e rrogës së lojtarit nuk po i thjeshtëson gjërat.

Sipas mediave italiane, Napoli ia ka vënë syrin qendërmbrojtësit të Lillet, Tiago Emanuel Embaló Djaló.

Napolitanët e shohin futbollistin portugez si zëvendësues ideal të Rrahmanit, nëse nuk arrihet marrëveshja me kapitenin kosovar.

Napoli do ta shiste Rrahmanin në verë, duke e pasur parasysh se ka edhe një vit kontratë, për të mos e humbur pa para në verën e vitit 2024, kur edhe do të ishte lojtar i lirë.

Ish-futbollisti i Lokomotiv Zagrebit, Dinamo Zagrebit dhe i Veronës, ka shpërthyer në dy sezonet e fundit dhe është bërë njëri prej mbrojtësve më të mirë në futbollin italian

Kohë më parë spekulohej për një interesim eventual të Manchester Unitedit për shërbimet e futbollistit kosovar.

Sidoqoftë, ai e ka thënë disa herë se ndihet mjaft i lumtur në Napoli, ku është bërë mjaft i dashur edhe nga tifozët, krahas bashkëlojtarëve dhe trajnerit Luciano Spalletti. 

(Kosova Sot Online)