Kosova - Andorra mbyllet me barazim

  • A.P /
  • 28 March 2023 - 22:45
Kosova - Andorra mbyllet me barazim

Fitore dhe asnjë rezultat tjetër. Me këtë ide Kosova iu ças ndeshjes ndaj Andorrës, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.

Megjithatë, ndeshja në “Fadil Vokrri” zhgënjeu të gjithë Kosovën.

“Dardanët” nuk arritën më shumë se një barazim 1:1 ndaj ekipit që konsiderohet më i dobëti në grupin I.

 Pjesa e parë u mbyll pa gola të shënuar. Kosova pati administrimn thuajse të plotë të ndeshjes, por krijoi pak raste shënimi.

Vlen të përmendet goditja e Zenelit që u bllokua në minutën e 21-të dhe rasti i Muriqit, gjuajtja e të cilit u prit nga portieri.

Inkuadrimi i Edon Zhegrovës në pjesën e dytë freskoi sulmin dardan që shpejt dha fryte.

Ishte Rashica që dha një asist fantastik për Edon Zhegrovën, i cili realizoi në minutën e 59-të të ndeshjes.

Megjithatë, gëzimi i “Dardanëve” zgjati shumë pak, pasi Rosas barazoi shifrat dy minuta më pas me një gol me kokë.

Deri në momentet e fundit të ndeshjes, Kosova nuk u ndal për asnjë moment duke e kërkuar golin e fitores.

 Me këtë barazim, Kosova mbetet ende pa fitore dhe ka dy pikë pas dy ndeshjeve në vendin e tretë.

Në anën tjetër, Andorra merr pikën e parë në këto kualifikime.

Ndeshjet e radhës, Kosova i zhvillon në muajin qershor, ku do të përballet me Rumaninë më 16 qershor në “Fadil Vokrri” dhe tri ditë më vonë udhëtojmë për t’u përballur me Bjellorusinë.

(Kosova Sot Online)