Ja pse Haaland po hetohet

  • A.P /
  • 29 March 2023 - 15:30
Ja pse Haaland po hetohet

Erling Haaland është nën hetim të policisë pasi e përdori telefonin derisa ishte duke vozitur.

Mediumi britanik “The Sun” ka publikuar fotografi të hënën ku shihet sulmuesi i Manchester Cityt në veturën e tij derisa ishte afër stadiumit “Etihad Stadium”, ngjarje kjo që kishte ndodhur më 15 mars, përcjell “Gazeta Express”.

Policia e Manchesterit u është përgjigjur raportimeve që e përfshijnë Haalandin dhe ka konfirmuar se është e informuar dhe duke e hetuar këtë incident.

Sulmuesi norvegjez mund të gjobitet me 200 funte dhe mund t’i merren 6 pikë nga licenca e tij e vozitjes nëse gjendet fajtor.

22 vjeçari ishte transferuar në Manchester City nga Borussia Dortmund verën e kaluar, ndërsa është golashënuesi më i mirë i Premierligës me 28 gola në Premierligë.

Në total, në të gjitha garat i ka shënuar 42 gola nga 37 ndeshje me “Citizens”

Haaland nuk mundi ta ndihmonte Kombëtaren e Norvegjisë në ndeshjet e marsit për shkak të lëndimit.

Ai pritet të jetë gati për t’u rikthyer këtë të shtunë kundër Liverpoolit. 


(Kosova Sot Online)