Mbappe: PSG është një klub dhe familje e madhe

  • A.P /
  • 06 April 2023 - 18:24
Mbappe: PSG është një klub dhe familje e madhe

Sulmuesi francez Kyllian Mbappe ka lëshuar një deklaratë të ashpër në lidhje me videon e biletave të sezonit 2023/24 të PSG-së, duke thënë se ajo është bërë pa dijeninë dhe lejen e tij dhe se ai nuk është dakord me të.

Nga tre yjet e mëdhenj, vetëm ai shfaqet në videon reklamuese së bashku me Hakimin dhe Donnarumma, ndërsa nuk duken as Messi e as Neymar.

“Nuk jam informuar asnjëherë për këtë, nuk jam dakord me videon e publikuar”, ka thënë Mbappe, i cili ka shpjeguar:

“Kjo është arsyeja pse unë po luftoj për të pasur të drejtën e imazhit tim. PSG është një klub dhe familje e madhe, nuk është Kylian Saint-Germain”, përfundoi sulmuesi i PSG-së.

Kujtojmë, Mbappe kishte pasur edhe më parë një mosmarrëveshje me PSG-në para se të vazhdonte kontratën, pasi kërkoi ekskluzivitet për fotot dhe regjistrimet e tij që përdoren për qëllime komerciale.

(Kosova Sot Online)