Avokati saudit e kërkon dëbimin e Ronaldos nga Arabia Saudite

  • S.A /
  • 20 April 2023 - 12:38
Avokati saudit e kërkon dëbimin e Ronaldos nga Arabia Saudite

Një avokat saudit ka bërë thirrje që Cristiano Ronaldo të dëbohet nga vendi i tij pasi ylli portugez bëri gjeste fyese ndaj tifozëve pas humbjes së ekipit të tij, Al-Nassr nga Al-Hilal me rezultat 0:2 të martën mbrëma, transmeton "Kosova Sot Online ".

Video e shpërndarë në rrjetet sociale e shfaqte 38 vjeçarin duke e kapur organin e tij gjenital derisa po largohej nga fusha e blertë si përgjigje ndaj tifozëve që po e thërrisnin emrin e rivalit të tij të përbetuar, Lionel Messi.

Avokati Nouf bin Ahmed ka reaguar pas këtij incidenti, ndërsa kërkon që Ronaldo të dënohet për reagimet e tij.

“Kjo konsiderohet si krim i çnderimit publik dhe është një nga krimet që e përfshin arrestimin dhe dëbimin nëse kjo kryhet nga një i huaj”, ka shkruar Ahmed në “Twitter”, ndërsa u zotua se do ta paraqiste një ankesë në prokurorinë saudite për “krimin e tij të paturpësisë publike.”

Ronaldo gjithashtu ka marrë kritika të mëdha nga gazetarët në Arabinë Saudite, ndërsa Ozman Abu Bakr ka sugjeruar që Al-Nassr duhet ta përfundojë amenjëherë kontratën me futbollistin që paguhet afro 200 milionë euro në vit pas “gjestit të tij të pamoralshëm dhe të paturpshëm ndaj spektatorëve”.

Sidoqoftë, e përditshmja spanjolle “Marca” raporton se Al-Nassr e ka mbrojtur Ronaldon për gjestin e tij pasi mori provokime gjatë lojës nga tifozët kundërshtarë. 

(Kosova Sot Online )