Po kalon në histori, rekordmeni i pa arritshëm Erling Haaland

  • S.A /
  • 27 April 2023 - 14:01
Po kalon në histori, rekordmeni i pa arritshëm  Erling Haaland

Erling Haaland e shkroi emrin e tij në histori të Premierligës qysh në sezonin debutues të tij. Sulmuesi norvegjez e ka marrë në dorë ekipin e Manchester Cityt, të cilin po e dërgon me hapa të sigurt drejt mbrojtjes së titullit të kampionit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ish-futbollisti i Salzburgut dhe i Borussia Dortmundit e shënoi mbrëmë golin e katërt në fitoren 4:1 ndaj Arsenalit.

Ky gol ia mundësoi atij që ta kalojë rekordin e Mohamed Salahut me gola të shënuar brenda një sezoni prej 38 ndeshjesh.

Sulmuesi i Liverpoolit në sezonin 2017/18 i kishte realizuar 32 gola, ndërsa Haaland mbrëmë e gjeti golin e 33-të sezonal në kampionatin anglez.

Ai mund ta përmirësojë këtë rekord pasi para vetes i ka edhe shtatë ndeshje në ligën elitare angleze.

22 vjeçari mund t’i kalojë edhe rekordet e Alan Shearer e Andy Cole, të cilët i kishin shënuar nga 34 gola në sezonet me 42 ndeshje, më 1993/94 dhe 1994/95.

Pra, sulmuesi shtatlartë është veç një gol prapa rekordit të ish-sulmuesit të Neëcastlet dhe të atij të Manchester Unitedit.

Në total në këtë sezon përfaqësuesi norvegjez i ka realizuar 49 gola.

Ky është numri më i lartë i një lojtari të Premierligës në të gjitha garat, derisa i ka mposhtur rekordet e Ruud van Nistelrooy (2002/03) dhe të Mohamed Salah (2017/18), të cilët i kishin nga 44 gola sezonalë.

Ai është edhe lider i golashënuesve në Ligën e Kampionëve në këtë edicion me 11 gola në 7 ndeshje, shkruan “Gazeta Express”.

Haaland krahas suksesit individual, do ta kërkojë edhe atë ekipor pasi me Cityn është në garë për t’i fituar: Premierligën, Ligën e Kampionëve dhe FA Cup. 

(Kosova Sot Online )