Interi kalon në finale të Ligës së Kampionëve duke mposhtur Milanin

  • A.P /
  • 16 May 2023 - 23:00
Interi kalon në finale të Ligës së Kampionëve duke mposhtur Milanin

Interi ka kaluar në finale të Ligës së Kampionëve për herë të parë që prej vitit 2010, kur edhe ishte shpallur kampion i Evropës.

Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi eliminoi sonte rivalin lokal, Milanin, në gjysmëfinale të kësaj gare

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Guiseppe Meazza” përfundoi me rezultatin minimal, 1:0, me Interin që në finale kalon me rezultatin e përgjithshëm 3:0.

Pjesa e parë u përshkrua me raste nga të dyja skuadrat, me Milanin që dukej më kërkues, por që nuk ia doli të shënonte.

45 minutat e parë u mbyllën baras dhe pa gola.

Goli i vetëm dhe i fitores sonte për “Nerazurrët” erdhi në pjesën e dytë, me Lautaro Martinezin, që shënoi në minutën e 74-t.

Interi në finale do të takohet me fituesin nga gjysmëfinalja tjetër, mes Manchester Cityt dhe Real Madridit. Ndeshja e dytë mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet të mërkurën mbrëma.

Kujtojmë se finalja e madhe e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet më 10 qershor.

(Kosova Sot Online)