Gjuajtën koktej molotovi në drejtim të autobusit të Pejës, arrestohen tre tifozët mitrovicas

  • S.A /
  • 20 May 2023 - 09:56
Gjuajtën koktej molotovi në drejtim të autobusit të Pejës, arrestohen tre tifozët mitrovicas

Sezoni i basketbollit kosovar u mbyll me incidente pas triumfit të Pejës ndaj Trepçës në palestrën e sporteve “Minatori”. Tifozët mitrovicas ishin të dëshpëruar dhe të mllefosur pas humbjes së skuadrës së tyre të zemrës, Trepça, në ndeshjen e pestë finale të play-offit të Superligës së basketbollit, transmeton "Kosova sot Online".

Pasi i gjuajtën lojtarët pejanë me gjësende nga tribunat në parket, tifozët mitrovicas bënë dëm edhe jashtë palestrës. 

Siç njofton Policia e Kosovës në raportin e saj të sotëm, tre tifozë të Trepçës janë arrestuar pasi e sulmuan autobusin e klubit të basketbollit Peja pas ndeshjes.

“Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm: Rr. Dëshmorët e Kombit, Mitrovicë 19.05.2023, 00:15. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit kanë gjuajtur me koktej molotovi në drejtim të autobusit të KB Peja. Të njëjtit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës.

Lojtarët pejanë përfunduan në dhomën e zhveshjes derisa publiku u largua nga palestra për ta marrë kupën dhe medaljet. 

(Kosova Sot Online )