De Bruyne: Do të zhvillojmë një finale të shkëlqyer në Stamboll

  • A.P /
  • 05 June 2023 - 18:48
De Bruyne: Do të zhvillojmë një finale të shkëlqyer në Stamboll

Kevin De Bruyne është optimist se Manchester City mund ta bëjë edhe më të paharrueshëm këtë sezon, duke fituar tripletën të shtunën kundër Interit.

Mesfushori belg fitoi Kupën e tij të dytë FA që kur është transferuar në “Etihad” në vitin 2015.

Trofeu më i vjetër futbollistik në botë është i dyti për “qytetarët” këtë sezon, pasi muajin e shkuar vulosën titullin e tretë radhazi të Premier Ligës.

Tani asistuesi më i mirë në Europë këtë sezon i vë syrin edhe trofeut të Ligës së Kampioneve, i cili do të diskutohet mes Cityt dhe Interit në finalen e Stambollit më 10 qershor.

“Unë nuk mendoj se ka ndonjë presion”, tha De Bruyne kur u pyet për fitimin e tripletës nga skuadra e Guardiolës.

“Ne kemi pasur një sezon të shkëlqyer deri tani dhe do të përpiqemi dhe të jemi gati sa më shumë që të jetë e mundur për të shkuar në Stamboll dhe luajtur një finale të shkëlqyer. Ka qenë një sezon i pabesueshëm dhe shpresojmë që të bëjmë edhe më të mirë”, tha 31-vjeçari.

(Kosova Sot Online)