Galatasaray për yllin kosovar Milot Rashica: Lojtar i vlefshëm për ne, po negociojmë për blerjen e tij

  • S.A /
  • 12 June 2023 - 13:50
Galatasaray për yllin kosovar Milot  Rashica:  Lojtar i vlefshëm për ne, po negociojmë për blerjen e tij

Milot Rashica e kaloi një vit huazimi mjaft të suksesshëm në Galatasaray, transmeton "Kosova Sot Online".

Ylli kosovar është në pronësi të Norwich Cityt, por gjiganti turk po i shikon të gjitha mundësitë për ta blerë kartonin e futbollistit ofanziv. 

Erden Timur, zëvendës-president i Galatasarayt po merret personalisht me transferimet, ndërsa fokusin më të madh e ka tek Mauro Icardi dhe tek Milot Rashica.

“Jemi duke negociuar për Rashicën. Është një lojtar mjaft i vlefshëm për ne, por duhet t’i kemi disa opsione, në mënyrë që ta menaxhojmë sa më mirë buxhetin e Galatasarayt. Nuk e di se sa do ta vlerësojnë lojtarin, por ne nuk duam të marrim hapa të gabuar. Nuk mund t’i kalojmë limitet tona. Jemi duke e bërë një projekt afatgjatë, një projekt për 30 vjetët e ardhshëm dhe duhet t’i përmbahemi atij”, u shpreh Timur për mediat turke.

Vushtrriasi me shokë e fituan titullin e kampionit të Turqisë pas një sezoni fantastik që e patën, ndërsa Rashica shënoi gola dhe bëri asistime në një edicion brilant të tij.

Ish-futbollisti i Werder Bremenit do të ishte i lumtur nëse klubet do të merreshin vesh që ta vazhdojë qëndrimin në Stamboll. 

(Kosova Sot Online )